Autoritetet në mbarë Evropën janë në gatishmëri, pasi vala e parë e të nxehtit për këtë verë ka rritur temperaturat deri në 42°C, ndërsa kontinenti më i prekur nga ngrohja globale vazhdon të ndiejë efektet e emergjencës klimatike.
Zyra shtetërore meteorologjike e Spanjës, Aemet, lëshoi një paralajmërim të veçantë për të nxehtin ditën e premte, duke deklaruar se temperaturat mund të arrijnë deri në 42°C në disa zona jugore të vendit gjatë ditëve në vijim.
“Temperatura shumë të larta dhe të qëndrueshme priten si gjatë ditës ashtu edhe natën, gjë që mund të përbëjë rrezik për personat e ekspozuar dhe/ose të ndjeshëm,” deklaroi Aemet.
Ministria e Shëndetësisë në Madrid paralajmëroi gjithashtu qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar në përballimin e të nxehtit, duke i këshilluar të qëndrojnë larg diellit, të hidratojnë trupin dhe të kujdesen në mënyrë të veçantë për të moshuarit, gratë shtatzëna dhe ata me sëmundje kronike.

Dy të tretat e territorit të Portugalisë do të jenë në alarm të lartë ditën e diel për shkak të temperaturave ekstreme dhe rrezikut të zjarreve pyjore, pasi në Lisbonë pritet të arrihet temperatura prej 42°C.
Ndërkohë që në Marsejë temperaturat afrojnë 40°C, autoritetet në qytetin e dytë më të madh të Francës kanë urdhëruar që pishinat publike të jenë falas për banorët, si një masë për të përballuar të nxehtin mesdhetar.
Në Napoli dhe Palermo, ku pritet të regjistrohen maja deri në 39°C, autoritetet në Siçili kanë ndaluar punën në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës, një masë që po zbatohet gjithashtu në rajonin Liguria në Italinë veriore. Sindikatat italiane po kërkojnë që kjo masë të zgjerohet në të gjithë vendin.
Në Venecia, ku po zhvillohen festimet luksoze treditore të martesës së themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, dhe bashkëshortes së tij Lauren Sánchez, të ftuarit, turistët dhe protestuesit po përballen me të nxehtin ekstrem.
“Nuk dua ta mendoj, por pi shumë ujë dhe nuk rri kurrë në një vend, sepse është momenti kur të zë goditja nga dielli,” tha për Agence France-Presse Sriane Mina, një studente italiane.
Në Greqi, ku temperaturat i janë afruar 40°C, një zjarr i madh pyjor shpërtheu në jug të Athinës të enjten, duke detyruar autoritetet të lëshojnë urdhra evakuimi dhe të mbyllin segmente të rrugës bregdetare që lidh kryeqytetin me Sounionin, vendndodhjen e Tempullit të lashtë të Poseidonit, një atraksion kryesor turistik.
Kjo valë e të nxehtit vjen pas një serie rekordesh të thyera të temperaturave ekstreme, përfshirë marsin më të nxehtë në historinë e Evropës, sipas monitorit klimatik Copernicus të BE-së. Si pasojë e ngrohjes globale, paralajmërojnë shkencëtarët, ngjarjet ekstreme të motit, si uraganet, thatësirat, përmbytjet dhe valët e të nxehtit, janë bërë më të shpeshta dhe më të ashpra.