Ka ndërruar jetë profesoresha e njohur Mimoza Doko Perçuku, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në fushën e arsimit dhe akademisë.
Lajmin e ka bërë të ditur Kolegji AAB, i cili përmes një telegrami ngushëllimi ka shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e saj, duke e cilësuar atë si një humbje të madhe për familjen, kolegët dhe mbarë komunitetin akademik, shkruan Gazeta Demos.
“Në emër të Kolegjit AAB, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe gjithë komunitetit akademik për këtë humbje të madhe.
Prof. Mimoza Doko Perçuku do të kujtohet përherë për kontributin e çmuar në arsim, shkencë dhe formimin e brezave të rinj, si dhe për përkushtimin, integritetin dhe profesionalizmin. Përmes veprimtarisë së saj shumëvjeçare, ajo la gjurmë të pashlyeshme në edukimin e brezave të rinj, në avancimin e dijes dhe në kultivimin e vlerave më të larta universitare.
Humbja e saj është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe kolegët, por edhe për institucionin tonë dhe për mbarë komunitetin akademik.
Duke nderuar kujtimin dhe veprën e saj, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë të thellë.
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e saj. U prehtë në paqe!”, thuhet në reagimin e Kolegjit AAB.









