Një situatë e pazakontë ka ndodhur mesditën e sotme me transmetimin e Big Brother VIP Albania, duke shkaktuar konfuzion te ndjekësit e formatit.
Abonentët kanë raportuar se të dyja kanalet e dedikuara për transmetimin 24-orësh janë bërë të paqasshme, duke sjellë një ndërprerje të plotë të pamjeve nga shtëpia.
Ekranet e zeza në të dyja linjat e transmetimit kanë ngritur pikëpyetje te publiku, çka ka detyruar produksionin të reagojë menjëherë përmes një njoftimi urgjent. Sipas “Vëllait të Madh”, shkak i bllokimit të sinjalit janë probleme teknike.
Njoftimi zyrtar: “Për shkak të disa problemeve teknike, sinjali nga shtëpia është ndërprerë. Ekipi teknik po punon për rikthimin e menjëhershëm të transmetimit.”
Për të shmangur çdo aludim për ndonjë incident brenda shtëpisë, produksioni ka sqaruar se monitorimi i banorëve nuk është ndërprerë në asnjë moment.
“Vëllai i Madh ju njofton se banorët janë gjatë gjithë kohës nën monitorimin e kamerave,” thuhet në përfundim të reagimit.









