Një futbollist 21-vjeçar, Kubilaj Kan Kundakçi, ka humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në Stamboll. Ngjarja e rëndë ndodhi kur një person i paidentifikuar hapi zjarr ndaj automjetit ku ndodhej i riu.
Sipas dëshmitarëve okularë, sulmi ndodhi papritur, duke lënë të plagosur rëndë futbollistin.
Mediat e huaja raportojnë se Kundakçi ishte i përfshirë në mënyrë indirekte në një konflikt mes një reperi dhe ish-të dashurës së tij, një këngëtare. Ai rezulton të ketë qenë mik me të dy dhe dyshohet se po përpiqej të ndërhynte për të qetësuar situatën në momentin e incidentit.
Pas të shtënave, 21-vjeçari u transportua me urgjencë në një spital në Stamboll. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Autoritetet turke pritet të zbardhin rrethanat e plota të ngjarjes dhe të identifikojnë autorin ose autorët e sulmit. Deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi motivet apo arrestime të mundshme.









