NATO ka nisur zyrtarisht misionin e Gardës Arktike, me qëllim përmirësimin e pozicionit ushtarak të aleancës në rajonin e Arktikut.
Ky veprim vjen pas tensioneve të fundit midis aleatëve të NATO-s, Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara, mbi të ardhmen politike të Grenlandës. Kur u përmend për herë të parë muajin e kaluar, disa diplomatë i thanë Radios Evropa e Lirë se një mision i mundshëm në Arktik mund të jetë një rrugëdalje nga një krizë në rritje.
Pas një takimi midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte muajin e kaluar në Davos të Zvicrës, u ra dakord që NATO duhet të luajë një rol më të madh rreth Grenlandës, për të sprapsur ndërhyrjet e mundshme kineze dhe ruse rreth ishullit dhe në Arktik në përgjithësi.
Gjatë një konference për shtyp në Bruksel më 11 shkurt, Rutte tha se “për herë të parë do të vendosim nën një komandë gjithçka që bëjmë në Arktik. Jo vetëm që do të përdorim të gjitha kapacitetet që kemi, por do të shohim edhe cilat janë boshllëqet dhe do t’i mbushim ato”, duke shtuar se “e bëjmë këtë sepse kemi një ndjenjë të qartë se rusët dhe kinezët po bëhen gjithnjë e më aktivë atje”.
Në një njoftim për shtyp lidhur me nisjen e misionit, Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, Alexus Grynkewich, tha se “Garda Arktike thekson angazhimin e aleancës për të mbrojtur anëtarët e saj dhe për të ruajtur stabilitetin në një nga zonat më të rëndësishme strategjike dhe sfiduese për mjedisin në botë”, duke shtuar se misioni do të “përdorë fuqinë e NATO-s për të mbrojtur atdheun tonë dhe për të siguruar që Arktiku dhe Veriu i Epërm të mbeten të sigurta”.
Deri më tani, nuk janë publikuar detaje se sa vende të NATO-s janë të përfshira në mision apo edhe niveli i trupave, megjithëse aleanca ushtarake perëndimore ka konfirmuar se misioni është “shumëdimensional”, që do të thotë se do të përfshijë ajër, det dhe tokë.
NATO ka njoftuar gjithashtu se stërvitja e Danimarkës “Rezistenca Arktike”, së bashku me 11 vende të tjera anëtare evropiane të NATO-s që po zhvillohen aktualisht në Groenlandë dhe përreth saj, si dhe stërvitja e ardhshme e titulluar “Reagimi i Akullt” në Norvegjinë veriore dhe Finlandën, ku përfshihen 25.000 ushtarë, përfshirë trupa amerikane, do të jenë pjesë e misionit të Gardës Arktike.
Shtatë nga tetë vendet e ashtuquajtura “Arktike” janë anëtare të NATO-s, me përjashtim të vetëm Rusisë. Dhe ndërsa ujërat përreth Groenlandës nuk janë aktualisht të mbushura me anije ruse dhe kineze, kjo mund të ndryshojë ndërsa akulli i Detit Arktik shkrihet dhe hapen rrugë të reja detare.
Misioni i Gardës Arktike vjen pasi NATO formoi misione të ngjashme në vitin 2025, të cilat janë ende në zhvillim e sipër në Detin Baltik – në përgjigje të sabotimit të dyshuar rus të kabllove nënujore, dhe në krahun lindor të aleancës, pas inkursioneve me dronë rusë në Poloni në shtator të vitit të kaluar.










