Teksa Ukraina po përballet me një valë të re dhe të rëndë të sulmeve nga Rusia, përgatitjet për transferimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot” janë intensifikuar.
Kryekomandanti i NATO-s, Alexus Grynkewich, deklaroi të enjten se këto përgatitje janë duke u zhvilluar me intensitet, në bashkëpunim të ngushtë me Gjermaninë.
“Përgatitjet janë në zhvillim e sipër, ne po punojmë ngushtë me gjermanët për transferimin e ‘Patriotëve’”, ka thënë ai gjatë një konference në qytetin gjerman të Wiesbadenit. “Udhëzimi që më është dhënë ka qenë që të lëvizim sa më shpejtë të jetë e mundur”.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të hënën se një vend i paidentifikuar ka shprehur gatishmërinë për të siguruar menjëherë 17 sisteme “Patriot” për Ukrainën.
Raportimet e deritanishme sugjerojnë se Ukraina aktualisht posedon të paktën gjashtë “bateri” funksionale të mbrojtjes ajrore “Patriot”, një sistem i sofistikuar i bazuar në kamionë që përfshin radarë dhe raketahedhës.











