Udhëheqësit e NATO-s pritet të bien dakord këtë javë për një objektiv të ri: vendet anëtare të shpenzojnë deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtje, një rritje e ndjeshme nga objektivi aktual prej të paktën 2%.
Sipas marrëveshjes paraprake, Spanja do të përjashtohet nga kjo kërkesë pas një marrëveshjeje të arritur mes Madridit dhe NATO-s. Kryeministri Pedro Sanchez deklaroi se në dokumentin përfundimtar të samitit nuk do të përmendet se ky objektiv vlen për “të gjithë aleatët”.
Presidenti amerikan Donald Trump theksoi se ky objektiv nuk duhet të vlejë për Shtetet e Bashkuara, por vetëm për aleatët e saj, duke shtuar: “Nuk mendoj se ne duhet, por mendoj se ata duhet.”
Trump kritikoi gjithashtu Kanadanë, duke e cilësuar si “një paguese të dobët”, ndërsa vuri në dukje se NATO do të duhet të trajtojë çështjen e përjashtimit të Spanjës.
Objektivi i ri prej 5% do të ndahet në dy pjesë: 3.5% për shpenzimet tradicionale të mbrojtjes dhe 1.5% për investime në infrastrukturë, mbrojtje kibernetike, përgatitje ndaj sulmeve hibride dhe mobilizim ushtarak. Ndihma për Ukrainën do të llogaritet gjithashtu si pjesë e këtij kontributi.






