“NATO nuk ka më arsye për të ekzistuar, roli i Evropës ka ikur”. Deklarata është bërë nga ministry i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto, sipas të cilit shtetet e Bashkuara nuk kanë kërkuar të përdorin bazat e tyre të vendosura në Itali.
Ministri italian i Mbrojtjes, gjatë fjalimit në një konferencë që po zhvillohej në Padova, tha se dikur, qendra e botës ishte Oqeani Atlantik, tani është e gjithë bota.
Sipas ministrit italian, në të njëjtën kohë, “Evropa dhe Shtetet e Bashkuara dikur ishin pika qendrore e referencës, ndërsa tani janë të gjithë të tjerët me të cilët duhet të krijohet një marrëdhënie”.
Ai theksoi se NATO duhet të pësojë një ndryshim të thellë. Në këtë kuadër ai vuri theksin në nisjen e një dialogu me Jugun Global, me qëllim garantimin e paqes dhe mbrojtjes së ndërsjellë.
“Përndryshe, ne nuk do të jemi në gjendje të garantojmë sigurinë me rregulla që vlejnë për të gjithë”, shtoi ai.
“Shpesh flasim sikur ende jetojmë në një epokë që ka kaluar tre dekada më parë. Në realitet, megjithatë, gjithçka ka ndryshuar.
Disa flasin për Evropën, sikur ajo të ketë rëndësi për diçka. Dikur, ndoshta, ajo mund të kishte rëndësi, nëse do të fitonte një rol politik, të cilin nuk e kishte fituar. Megjithatë, koha e saj ka kaluar dhe e them këtë me keqardhje. Bota ka ndryshuar. Dhe OKB-ja, në pjesën tjetër të botës, ka rëndësi aq sa Evropa. Asgjë, domethënë, më pak se një grup kombëtar, më pak se India dhe Izraeli”, tha ministri i Mbrojtjes i qeverisë Meloni.
Guido Crosetto, më në fund, deklaroi se deri më tani Shtetet e Bashkuara nuk kanë kërkuar të përdorin bazat e tyre të vendosura në Itali për operacione që lidhen me zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Deklaratat e ministrit italian të Mbrojtjes vijnë në një kohë kur Bashkimi Evropian është i bindur në aftësinë për të garantuar sigurinë e tij, madje edhe në një skenar ku ombrella ushtarake amerikane do të tkurrej ose edhe do të zhdukej.
Komisioneri Evropian për Mbrojtjen Andrius Kubilius, në Panairin Ajror Bourget që zhvillohet në Francë, tha se duke parë të gjitha zhvillimet në industri dhe teknologjitë e reja, është shumë e qartë se në Evropë mund të jemi krenarë.
I pyetur nëse Evropa do të ishte në gjendje të mbrohej nesër në rast të një sulmi pa mbështetjen e SHBA-së, Kubilius u përgjigj r me vendosmëri: “aftësitë tona mbrojtëse janë zhvilluar gjithmonë duke marrë parasysh praninë amerikane në kontinentin evropian. Por kur flasim për të ardhmen afatgjatë, duhet patjetër të marrim parasysh faktin se amerikanët do t’i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje Indo-Paqësorit, për shkak të rritjes së fuqisë ushtarake kineze.”
Kjo do të thotë, sipas komisionerit letonez, “se ata do të fillojnë të zvogëlojnë praninë e tyre në Evropë.
“Kjo nuk do të ndodhë nesër, por ne duhet të fillojmë të planifikojmë se si të ndërtojmë, në veçanti, ato aftësi strategjike për të cilat varemi nga shërbimet amerikane sot, siç janë avionët luftarakë F-35 ose F-16. Mund të biem dakord për këtë me partnerët tanë amerikanë: duhet të kemi një plan afatgjatë”, shtoi ai. Megjithatë, sipas Kubilius, “për të dekurajuar mundësinë e agresionit, ne duhet të ndryshojmë mënyrën tonë të të menduarit dhe të zhvillojmë aftësitë tona mbrojtëse më shpejt sesa bëmë në kohë paqeje”.
Komisioneri shprehu gjithashtu dyshime në lidhje me nxitimin për të prodhuar në masë dronë ushtarakë, një nga temat qendrore të shfaqjes Bourget. “Nuk jam i sigurtë nëse prodhimi masiv i dronëve paraprakisht është mënyra më e mirë për t’u përgatitur. Prodhimi i një droni nuk është problem, pyetja është se si të mësohet t’i përdorësh ato”, tha ai.








