I dyshuari kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkëshorti i saj Naim Murseli, sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë i ka kërkuar llogari ekspertit psikiatrik dhe gjykatëses së rastit lidhur me rrjedhjen në media të ekspertizës psikike të kryer mbi të.
Murseli ka pyetur ekspertin Shpend Haxhibeqiri:Si rrjedhi dokumenti për gjendjen time? Doktor i nderuar, si rrjedhi një dokument kaq sensistiv dhe, besoj, edhe me konventat ndërkombëtare? A rrjedhi nga ndonjë punonjës i juaji, apo nga gjykata?”
Haxhibeqiri: Prej neve jo.
Në këtë moment ka ndërhyrë gjykatësja: Naim, gjykata nuk shpërndan ekspertiza.
Murseli ka replikuar: Zonja gjykatëse, ajo vet nuk ka dalë.”
Gjykatësja ka shtuar: Po Naim, ke të drejtë, por gjykata nuk shpërndan ekspertizat, janë vetëm për palët.
Murseli: Atëherë dikush ka abuzuar me detyrën e vet, besoj pajtoheni.
Në muajin korrik, Instituti i Psikiatrisë Forenzike përfundoi ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.









