Lidhja Demokratike e Kosovës bëri të ditur se në Komisionin parlamentar për Buxhet fatkeqësisht u pamundësua që ministri i Financave, Hekuran Murati të raportonte për rritjen e çmimit të derivateve të naftës, energjisë dhe reflektimit tek rritja e çmimeve të tjera.
Në mbledhjen e sotme të këtij Komisioni, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa propozoi që në rend dite të përfshiheshin këto çështje si dhe mosekzekutimi i pagës së 13-të për punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe atyre të sektorit shëndetësor.
Ai kërkoi një raportim gjithëpërfshirës për masat që po ndërmerr qeveria në këtë aspekt, meqenëse ministri i Financave, Hekuran Murati ishte i pranishëm në këtë mbledhje, por deputetët e partisë në pushtet nuk e mbështetën këtë propozim.
“Pika e parë kishte të bënte me çështje të rritjes së çmimit të derivateve dhe të energjisë dhe reflektimi zingjiror në të gjitha produktet e shërbimet e tjera: transporti, ushqimi, imputet bujqësore dhe çdo aspekti i jetës dhe kuletës së qytetarëve. Ne jemi të vetëdijshëm që qeveria e Kosovës, natyrisht, nuk kontrollon tregjet ndërkombëtare të derivateve dhe nuk kërkojmë një gjë të tillë. Kjo qeveri është e Kosovës dhe ka obligim kushtetues, ligjor, politik dhe moral të mbrojë qytetarët e Kosovës nga këto rritje të çmimeve dhe të përkrah ata që t’i bëjnë ballë këtyre rritjeve të çmimeve…Fatkeqësisht deputetët e shumicës nuk e përkrahën këtë propozim që ministri i Financave të raportonte për planet e qeverisë për të përkrahur qytetarët në këtë gjendje të rënduar ekonomike nga rritja e çmimeve në çdo fushë“, tha ai.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa tha se tashmë ky subjekt politik për ditën e premte ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme për rritjen e çmimit të derivateve.
“Thirrja e kësaj seance nuk kishte ndodhur ende dhe më e rëndësishme ftesa e seancës së premtes ka të bëjë me çmimet e derivateve, ndërsa kërkesa ime ishte që t’i kërkonim ministrit të Financave të bënte një raport gjithëpërfshirës se çka po bën apo çka po planifikon të bëjë qeveria e Kosovës për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve”, tha ai.
Kur u pyet se a ka pranuar Lidhja Demokratike e Kosovës ftesë nga kryeministri, Albin Kurti për çështjen e presidentit, Mustafa tha se diskutimet e tilla mbahen në nivel të kryetarëve.
“Diskutimet e tilla mbahen në nivel të kryetarëve të partive, prandaj në këtë moment e kam të pamundur të komentoj”, tha ai.









