Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, njoftoj se bashkë me sekretaren e përgjithshme të kësaj partie, Vlora Çitaku, ka denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës një polic, për siç pretendon ajo, cenim fizik gjatë seancës plenare të Kuvendit.
Musliu ka thënë se ka kërkuar hetim për veprimet e zyrtarit policor, duke theksuar se reagimi i saj nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e vetes, por edhe me ruajtjen e integritetit të Policisë së Kosovës.
Sipas Musliut, denoncimi nuk është bërë vetëm për të mbrojtur veten, por për të kërkuar që Policia e Kosovës të mos ndikohet nga partitë politike.
“Ky reagim nuk bëhet për të mbrojtur veten time, por, para së gjithash, për të mbrojtur institucionin e Policisë së Kosovës dhe integritetin e tij, në mënyrë që Policia të mos rrëshqasë në urdhrat dhe ndikimet e asnjë partie politike”, është shprehur ajo.
Musliu ka ngritur edhe pyetjen se kush e ka ftuar Policinë e Kosovës në sallën e seancës plenare.
“Por, krahas hetimit për veprimet e policit, si deputete dhe si qytetare të Republikës së Kosovës, kërkuam të dimë edhe diçka tjetër: Kush e ka ftuar Policinë në sallën e seancave plenare?”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka kërkuar që ky informacion të bëhet i ditur për Kuvendin dhe opinionin publik, duke vënë në pikëpyetje autorizimin për praninë e policisë brenda sallës gjatë seancës konstituive.
“Kush e ka dhënë urdhrin? Kush e ka ftuar Policinë? Dhe mbi çfarë baze është ndërhyrë në sallën e Kuvendit? Këto nuk janë pyetje personale. Janë pyetje për përgjegjësinë institucionale”, ka thënë Musliu.
Musliu ka kërkuar që hetimi të mos kufizohet vetëm te polici që, sipas saj, e ka cenuar fizikisht, por të përfshijë edhe zinxhirin e përgjegjësisë.
“Sepse kur Policia hyn në sallën e Kuvendit dhe një deputet cenohet fizikisht, nuk mjafton të hetohet vetëm polici që ka kryer veprimin. Duhet të hetohet edhe zinxhiri i përgjegjësisë dhe urdhrit që e solli Policinë aty”, tha Musliu.








