Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me krizën e konstituimit të Kuvendit.
Murati theksoi se vendimi i Kushtetueses konfirmon që votimi i fshehtë nuk shkel Kushtetutën dhe mund të përdoret për të përmbyllur procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit.
“Votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra lejohet. S’ka nevojë as 30 ditë të pritet. Që nesër mund të procedohet me votim të fshehtë dhe kryhet kjo punë,” shkroi ai.
Deputeti i VV-së përmendi tri pika kyçe që sipas tij janë konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese: Votimi i fshehtë është kushtetues dhe i lejueshëm; Të gjitha partitë duhet të angazhohen për konstituimin e Kuvendit; Të gjithë deputetët kanë për obligim të marrin pjesë në votim.
Murati shtoi se këto qëndrime janë mbrojtur nga VV që nga dita e parë dhe tani janë konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese.
“Këto i kemi thënë që nga dita e parë. Këto i paska thënë edhe Gjykata Kushtetuese. S’ka nevojë as 30 ditë të pritet. Që nesër mund të procedohet me votim të fshehtë, dhe kryhet kjo punë”.








