Mbi 1,000 biznese të reja u regjistruan në tetor, por vetëm pak prej tyre kanë më shumë se dhjetë të punësuar.
Hekuran Murati e ka paketuar si sukses historik numrin e bizneseve të regjistruara nga janari deri në fund të tetorit të këtij viti.
Por, brenda statistikave të prezantuara nga ministri në detyrë i Financave fshihet një propagandë e pastër politike.
Shifrat reale, të prezantuara në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, dëshmojnë se vetëm një grusht i vogël i tërësisë së bizneseve të hapura këtë vit kanë kapacitete të mesme. Shumica dërrmuese e tyre rezultojnë të jenë biznese me deri në nëntë punëtorë.
Në deklarimin e tij në rrjetin social Facebook javën e shkuar, ministri që shfaqi me pompozitet statistika “rekord” të hapjes së mbi 11 mijë bizneseve këtë vit, mbi një mijë prej tyre në muajin tetor, nuk shfaqi detajet e këtij “bum” ekonomik.
“Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara tashmë ka kaluar shifrën prej 11 mijë, deri në fund të muajit tetor, ende pa mbaruar viti. Sipas trendit aktual, deri në fund të vitit kjo shifër pritet të tejkalojë mbi 13 mijë biznese, që do të ishte rekord i të gjitha kohërave. Ky është tregues i shëndetit të mirë të ekonomisë, e cila po rritet vazhdimisht”, u lavdërua Murati me statistika.
Statistikave të Muratit, që prej vitesh dominon diskursin me prezantim shifrash për rritje ekonomike e të cilat shpeshherë bien ndesh me raportet e organizatave ndërkombëtare, i japin kontekst të dhënat e prezantuara së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Ky raport dëshmon se Murati u përpoq të mbante sekret edhe numrin e bizneseve të shuara gjatë kësaj periudhe, janar-tetor 2025, i cili është 1 mijë e 104.

Ndërkaq, edhe pse hapja e këtyre ndërmarrjeve në esencë është i mirëpritur, parktikisht luan rol të vogël në punësimin e qytetarëve kosovarë. Qe pse.
Agjencia e Statisitikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Repertorin Statistikor mbi ndërmarrjet në Kosovë Tetor 2025”.

Numri total i ndërmarrjeve të reja të hapura gjatë këtij muaji është 1 mijë e 125 ndërmarrje të reja, ndërsa janë shuar 127 ndërmarrje.
Sipas këtij raporti për muajin tetor, del që nuk është hapur asnjë ndërmarrje e mesme që llogaritet të ketë 50 deri 249 të punësuar si dhe nuk është hapur asnjë ndërmarrje e madhe që supozohet se numri i të punësuarve duhet të jetë mbi 250 punëtorë.
Bizneset prej 0 deri në 9 të punësuar janë ndërrmarjet që janë regjistruar më së shumti për gjatë kësaj periudhe me gjithsej 1 mijë e 116, ndërsa ndërmarrje të vogla me numër të punëtorëve prej 10 deri 49, janë regjistruar 9.

“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të regjioneve: Regjioni i Prishtinës prinë me 567 ndërmarrje të regjistruara (50.4%), Regjioni i Ferizajt me 112 (10.0%), Regjioni i Prizrenit me 112 (10.0%), Regjioni i Mitrovicës me 108 (9.6%), Regjioni i Pejës me 83 (7.4%), Regjioni i Gjilanit me 80 (7.1%), dhe Regjioni i Gjakovës me 63 (5.6%).” – thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërkaq, aktivitetit ekonomik më i hapur është tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave.
“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij mujori ishin: Tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 286 (25.4%), Ndërtimtari me 133 (11.8%), Akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 110 (9.8), Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 104 (9.2%) etj.” – thuhet në raportin e ASK-së.
Sipas ASK-së, papunësia në Kosovë është 10.9 për qind. Këtu nuk përfshihet numri i popullsisë joaktive por në moshë pune e që është 56.4 %.






