Analisti politik, Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se “nuk beson që është në rregull që një parti e respektuar siç është Aleanca të refuzojë takimin me mua si kryeministër”.
Përmes një postimi në Facebook, Muharremi e ka kritikuar Kurtin duke thënë se përgjegjësia për situatën e krijuar bie edhe mbi të, pasi sipas tij, në të kaluarën nuk e kishte ftuar Aleancën në takime dhe kishte treguar mungesë respekti ndaj kësaj partie.
“Nuk e ke thirrur në takime Aleancën herën e kaluar. Ke treguar mosrespekt dhe je munduar me e poshtëru e me i paraqitur si të parëndësishëm, edhe pse votat e AAK-së në disa kombinime e kishin ndihmu gjetjen e zgjidhjes”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka vlerësuar qasjen e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, duke theksuar se ai nuk e ka refuzuar ftesën e Kurtit, por përkundrazi i ka dërguar një letër, përmes së cilës ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve.
Sipas Muharremit, kërkesat e paraqitura nga Gjini janë në interes të publikut dhe jo të interesave partiake.
Në fund të reagimit të tij, analisti i ka bërë thirrje Kurtit që të heqë dorë nga ajo që ai e ka quajtur “lojë e viktimës” dhe të fokusohet në ndërtimin e një zgjidhjeje.
“Mos vazhdo me u ba ‘Drama Queen’ e me luajt lojën e viktimës, por bëhu konstruktiv dhe gjej zgjidhje”, ka shkruar Muharremi.








