Donald Trump nuk ka ndërmend t’i furnizojë Ukrainës raketat Tomahawk dhe retorika e tij e fundit është thjesht një bllof, deklaron Dmitry Suslov, zëvendësdrejtor i Qendrës për Studime Evropiane dhe Ndërkombëtare në Shkollën e Lartë të Ekonomisë në Moskë dhe një nga këshilltarët më të besuar të Kremlinit për politikën e jashtme.
Në një intervistë të gjatë për Corriere della Sera, Suslov hedh poshtë idenë se SHBA do të përfshihen drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë, duke e cilësuar këtë si “kundër produktive dhe të pamundur” në kontekstin e pozicioneve të deklaruara të Trump.
Raketat Tomahawk? Asnjë shans real që t’i dorëzohen Ukrainës
“Është e vështirë për Moskën të imagjinojë që SHBA do të furnizojnë raketa lundrimi me bazë tokësore Ukrainës. Ukraina nuk ka kapacitete detare për përdorimin e tyre dhe, deri më tani, asnjë vend evropian nuk i ka marrë ato,” thotë Suslov, duke shtuar se edhe furnizimi për Gjermaninë është planifikuar për vitin e ardhshëm dhe lidhet me vendime të administratës Biden, jo të Trump.
Sipas tij, çdo përdorim i raketave Tomahawk do të kërkonte praninë e ushtarëve amerikanë në terren, gjë që do të nënkuptonte përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së në luftë – një zhvillim që bie ndesh me qëndrimet e Trump për de-përshkallëzim. “Kjo është arsyeja pse ne e konsiderojmë këtë një fushatë presioni që nuk do të ketë sukses,” shton ai.
Rusia: Nëse goditemi me Tomahawk, do të përgjigjemi ndaj NATO-s
Për Suslov, nëse raketat amerikane do të godasin objektiva strategjike në tokën ruse, Moska nuk do të qëndrojë duarkryq. “Do të kishte përgjigje ushtarake ndaj objektivave të NATO-s. Do të ndodhte një përshkallëzim horizontal i luftës.”
Megjithatë, ai nuk sheh një gjasë reale që kjo të ndodhë. “Trump është i zhgënjyer me Putinin? Edhe zhgënjimi i Putinit është i madh,” thotë Suslov, duke iu referuar marrëveshjes së supozuar të arritur në samitin e Alaskës mes dy liderëve, e cila sipas tij u refuzua nga evropianët dhe ukrainasit. “Trump nuk bëri asgjë për t’i detyruar ata ta pranojnë atë marrëveshje,” thotë Suslov, duke e cilësuar retorikën aktuale si “kërcënime të kota për të futur Rusinë në qoshe”.
Skandali i dronëve: Evropa e papërgatitur dhe e ndarë
Ndërkohë që vendet evropiane akuzojnë Rusinë për një seri sulmesh hibride, përfshirë sulme me dronë dhe sulme kibernetike, Suslov i minimizon ato dhe thotë se “nuk ka prova konkrete që Rusia është përgjegjëse.” Ai përmend rastin e Danimarkës, ku disa hakerë u arrestuan por lidhja me Moskën nuk u vërtetua.
Për Suslovin, këto incidente tregojnë diçka tjetër: “Evropa është e papërgatitur për përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me Rusinë. Ata janë të ndarë, nuk janë të qartë nëse janë apo jo në luftë me Moskën, dhe mbi të gjitha, nuk janë të gatshëm për një luftë të vërtetë.”
I pyetur nëse këto janë teste të vetë Rusisë ndaj kapaciteteve të NATO-s, Suslov thotë se kjo nuk është qëllimi, por “është fakt që përshkallëzimi nuk i shërben interesave ruse, sepse Rusia beson se po fiton.”
Luftë rraskapitjeje: Rusia përparon ngadalë, por me qëllim
Në lidhje me ecurinë e luftës në Ukrainë, Suslov e përshkruan konfliktin si një luftë rraskapitjeje ku koha po punon kundër Kievit. Ai pranon se sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike dhe fabrikave ruse kanë shkaktuar dëme, por sipas tij, dëmet që Rusia po i shkakton Ukrainës janë shumë më të mëdha dhe të pakrahasueshme.
Edhe pse përparimi i forcave ruse është i ngadaltë, ai thotë se kjo është për shkak të ndryshimeve taktike të shkaktuara nga përdorimi masiv i dronëve në të dyja anët e frontit. Sipas tij, tani është e pamundur të realizohen ofensiva të mëdha me përqendrime të mëdha trupash, pasi çdo gjë është e dukshme dhe e prekshme nga dronët dhe artileria.
Megjithatë, Rusia po eliminon gradualisht trupat ukrainase dhe kjo, sipas Suslov, është më e rëndësishme sesa kontrolli territorial në një luftë të tillë.
“Disfata e Ukrainës është e pashmangshme,” tha ai, duke shtuar se problemi më i madh për Kievin është mungesa e forcave njerëzore.








