Samiti i shumëpërfolur midis Presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, i parashikuar të zhvillohej në Hungari, nuk do të ndodhë dhe tashmë është e qartë pse.
Sipas burimeve të agjencisë Reuters, Moska i ka kthyer Uashingtonit një “non paper” me të njëjtat kushte të vjetra për përfundimin e luftës: njohjen e kontrollit të plotë rus mbi rajonin e Donbasit.
Një përgjigje e tillë bie ndesh me qëndrimin e Presidentit Trump, i cili ka propozuar ngrirjen e vijave të frontit si bazë për një marrëveshje armëpushimi. Në vend që të afronte palët drejt paqes, iniciativa për samit ka nxjerrë edhe njëherë në pah realitetin e pamëshirshëm të luftës në Ukrainë: asnjëra palë nuk është gati për kompromis real.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar me shqetësim të hapur ndaj këtij zhvillimi, duke e lidhur drejtpërdrejt hezitimin e SHBA për të furnizuar Ukrainën me raketa Tomahawk me ftohjen e interesit të Rusisë për diplomaci. Në fjalimin e tij të përnatshëm, Zelensky deklaroi se “Rusia, sapo u kuptua se vendimi për Tomahawk-ët ishte shtyrë pas telefonatës mes Trump dhe Putin, humbi automatikisht interesin për paqe”.
Ai e quajti këtë një sinjal të qartë: “Çështja e kapaciteteve me rreze të gjatë për Ukrainën është ndoshta çelësi i domosdoshëm për paqen. Sa më shumë kapacitete të tilla të kemi, aq më e madhe është gatishmëria e Rusisë për të përfunduar luftën.”
Sipas tij, edhe thjesht diskutimi për Tomahawk-ët është “një investim i fortë në diplomaci”, sepse këto janë “karta që Rusia i ndjek me vëmendje”. Ai shtoi se do të vazhdojë bisedimet me partnerët europianë dhe amerikanë për këtë çështje, duke e konsideruar të domosdoshme për çdo progres drejt paqes.
Në këtë klimë të tensionuar, dështimi i samitit Trump–Putin shënon jo vetëm një hap prapa për diplomacinë ndërkombëtare, por edhe një sinjal alarmi se konflikti në Ukrainë nuk është afër përfundimit. Me Moskën që nuk lëviz nga kërkesat e saj maksimale, me Uashingtonin që heziton në ndihmë strategjike, dhe me Kievin që paralajmëron për rrezikun e braktisjes, skenari më i mundshëm është zgjatja e luftës dhe vonesa e paqes.








