Kievi ka qenë nën bombardime të rënda ruse që nga mëngjesi i së dielës, teksa sulmi është përshkruar si një nga sulmet ajrore më të mëdha në kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i luftës tre vjet e gjysmë më parë. Sipas mediave ukrainase, Rusia nisi sulme të njëkohshme në qytete të tjera, përfshirë Zaporizhian.
Në kryeqytet, dronë fluturuan mbi qytet dhe rrethinat e tij, ndërsa zjarri kundërajror dëgjohej vazhdimisht gjatë gjithë natës. Shumë banorë u detyruan të strehoheshin në stacionet nëntokësore të metrosë, ndërsa në të gjithë territorin ukrainas u shpall alarmi i kuq.
Deri më tani, sipas agjencisë franceze, ka tre të plagosur në Kiev dhe katër në Zaporizhia. Kryetari i bashkisë së kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko, njoftoi se tre të plagosurit janë dërguar në spital, ndërsa guvernatori lokal i Zaporizhias, Ivan Fedorov, tha se qyteti është goditur “të paktën katër herë”.
“Raketat ende po godasin qytetin”, tha ai, duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimore. Në Oblastin e Kievit , gjatë “sulmit masiv armik”, shpërthyen zjarre në disa shtëpi dhe ndërtesa në lagje jashtë kryeqytetit, raportuan autoritetet rajonale. Pesë persona në qytetin Fastiv u plagosën të gjithë punonjës të një furre buke që u përfshi nga flakët gjatë sulmit.
Kreu i zyrës presidenciale, Andriy Yermak, foli për sulme të kombinuara me dronë dhe raketa, duke nënvizuar përshkallëzimin e agresionit rus.
Në Zaporizhzhia , kryeqytetin rajonal pjesërisht të pushtuar nga Rusia në Ukrainën lindore, sulmi dëmtoi një shkollë dhe shkaktoi një zjarr në një ndërtesë banimi, sipas guvernatorit rajonal Ivan Fedorov. U goditën gjithashtu objektet e prodhimit të një kompanie të paspecifikuar.
Fedorov tha se të paktën dy sulme goditën Zaporizhzhian gjatë natës. Pesë persona u plagosën. “Rusët po përpiqen të sulmojnë infrastrukturën kritike të qytetit”, shtoi ai.
Reagimet në Poloni
Sulmi masiv rus shkaktoi gjithashtu një reagim të menjëhershëm në Poloni. Varshava njoftoi në agim se kishte mbyllur hapësirën e saj ajrore në kufirin me Ukrainën, pranë qyteteve të Lublinit dhe Rzeszovit . Forcat e armatosura polake mobilizuan avionë luftarakë për të siguruar hapësirën ajrore pas bastisjeve të Moskës.
Kërcënime të reja nga Rusia
Sulmi vjen disa orë pasi Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi se kushdo që përpiqet të rrëzojë një avion rus në hapësirën ajrore të vendit “do të pendohet shumë”.
Lavrov e quajti një veprim të tillë një “shkelje flagrante të integritetit dhe sovranitetit territorial të Rusisë “, duke përcaktuar tonin për përshkallëzimin e tensioneve.








