“Mos na hidhni hi syve!” – Kryetari i Këshillit Studentor të Mjekësisë i përgjigjet Kurtit për “kthimin e trurit” ne Kosovë

Kryetari i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë, Besfort Racaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ndaj deklaratave të Kryeministrit Albin Kurti se me qeverisjen e tij “truri po kthehet në Kosovë” dhe se emigrimi i mjekëve po ndalet.

Racaj e ka cilësuar këtë deklaratë si një mohim të drejtpërdrejtë të realitetit me të cilin përballen çdo ditë mjekët e rinj dhe studentët e mjekësisë në vend.

Përmes reagimit, Racaj bëri të ditur se një ditë pas skadimit të afatit që studentët i kishin dhënë Kryeministrit, Ministrit të Arsimit dhe atij të Financave për një takim zyrtar, krerët e institucioneve zgjodhën heshtjen. Sipas tij, ftesë ka pasur vetëm nga Ministria e Shëndetësisë, por vetëm pasi ishte shpallur ai që ai e quajti “konkurs i imponimit”, i cili nuk reflekton nevojat reale të sistemit shëndetësor dhe i vendos mjekët e rinj para tri alternativave: të pranojnë specializime të imponuara, të presin pa siguri apo të përgatitin dokumentet për Gjermani.

Në reagimin e tij, përfaqësuesi i studentëve e vuri theksin te ironia e paraqitjes së Kryeministrit para qindra mjekëve të rinj. “Kryeministër, duket se keni zgjedhur publikun e gabuar për t’i hedhur hi syve!”, ka shkruar Racaj, duke shtuar se në atë sallë ku flitej për kthim të trurit, thuajse çdo i dyti student ka nisur ose planifikon regjistrimin në kursin e gjuhës gjermane.

Për të rrëzuar pretendimet zyrtare, Racaj ka nxjerrë në pah shifrat alarmante të emigrimit të profesionistëve shëndetësorë. Ai bëri të ditur se vetëm gjatë periudhës 2021–2026, mbi 650 mjekë kanë tërhequr dokumentacionin nga Oda e Mjekëve të Kosovës për të kërkuar punësim jashtë vendit. “Unë e argumentoj ikjen. Kryeministër, a mund ta argumentoni ju kthimin?“, ka pyetur ai publikisht.

Në përmbyllje të reagimit, Kryetari i Këshillit Studentor të Mjekësisë ka paralajmëruar se do të paraqiten te Ministri i Shëndetësisë më 13 nëntor. Ai ka theksuar se studentët nuk do të shkojnë atje për të negociuar, por për të kërkuar përmbushjen e të drejtave të tyre, duke kujtuar se dinjiteti i profesionistëve shëndetësorë është i panegociueshëm dhe se nuk do të këtë tërheqje nga kërkesat.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit