Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar lidhur me nismën për Kuvend të jashtëzakonshëm, që parasheh shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit.
Sipas Hazirit, beteja e Abdixhikut është me votuesit dhe jo bashkëpartiakët.
“Beteja e Lumir Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, në emër të kërkesave politike, është dhe duhet të mbetet beteja e kryetarit të katërt të LDK-së me votuesit e tij. Të gjithë ata që po dalin në analiza, vlerësime e mësime, për apo kundër, janë vetëm pozicionime politike për veten e tyre e jo për të ardhmen e LDK-së”, ka deklaruar ai.
“Bajagi ia kemi pa sherrin pozicionimeve, duke harru kënd e kemi familje politike, kush janë rivalët politikë dhe pse çdo herë na përsëritet situata e njëjtë! Tri degë dhe tre kolegë tanë shkaktuan proces. 1/3 e delegatëve u ftuan me u deklaru me nënshkrime për këtë kërkesë. Atëherë, çka po na duhen fjalët e tepërta me kah 10 statuse në ditë, me gjuhë të ashpër prej disa aktivistëve, ftesa për protestë në mbrojtje e konsumues politikë që po e gërryejnë besimin e idealistëve”, vijon më tej Haziri.
Haziri ka kërkuar nga bashkëpartiakët që “të mos hyjnë në betejat që nuk janë të tyre”.








