Një arritje e jashtëzakonshme dhe moment krenarie për mbarë kombin shqiptar është shënuar sot në pistat e skijimit në Austri.
Skiatorja e talentuar shqiptare, Lara Colturi, ka arritur të triumfojë në garën e slalomit në Gurgl të Austrisë, duke ia dhuruar kështu Shqipërisë fitoren e parë historike në Kupën e Botës në ski alpine.
Në moshën vetëm 20-vjeçare, Colturi tregoi klasin e saj të lartë dhe u ngjit në shkallën më të lartë të podiumit. Ky triumf vjen si kurorëzim i punës dhe paraqitjeve të saj mbresëlënëse në vitet e fundit, ku më herët kishte arritur të siguronte dy vende të dyta, konkretisht në vitet 2024 dhe 2025.
Për këtë rezultat të madh që po bën jehonë në sportin ndërkombëtar, nuk ka munguar as reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka uruar sportisten për suksesin e arritur.
Fitorja e Colturit shënon një kapitull të ri për sportin shqiptar, duke dëshmuar se me talent dhe përkushtim arrihen majat më të larta botërore.









