spot_img
Tuesday, December 16, 2025
spot_img

Mocioni i avokatëve: Kur nisi dhe kur përfundoi lufta në Kosovë sipas Tribunalit të Hagës dhe vendimeve të tjera?

Një mocion i krerëve të UÇK-së në Hagë për rrëzimin e disa prej pikave të akuzës, nuk u pranua. Avokatët kishin kërkuar rrëzimin e pikave për incidentet që kishin ndodhur para majit 1998 dhe pas qershorit 1999. Megjithatë, gjyqtarët konstatuan se për këtë, do të vendosin në aktgjykimin përfundimtar. Koha se kur nisi e kur përfundoi lufta në Kosovë, ishte trajtuar edhe nga Tribunali i Hagës. Cilat ishin vendimet?

Në aktgjykimin e Tribunalit të Hagës të vitit 2012 në rastin ku Ramush Haradinaj u akuzua për krime të luftës, ishte specifikuar qartësisht periudha kur llogaritej se në Kosovë ka pasur luftë. Sipas aktgjykimit të Tribunalit për Krime të Luftës në Ish-Jugosllavi, në Kosovë ka pasur konflikt të armatosur veç deri në qershorin e vitit 1999. Si rezultat, shumë prova të paraqitura nga dëshmitarë të ndryshëm për veprime pas kësaj kohe, nuk ishin pranuar.

Kjo konfirmohet edhe me një tjetër aktgjykim në rastin e Vlastimir Gjorgjeviq. Aty thuhet se konflikti ndërmjet forcave serbe dhe UÇK-së kishte nisur nga fundi i majit 1998, deri në qershor 1999. Kurse, konflikti ndërkombëtar sipas këtij aktgjykimi, kishte filluar nga 24 marsi 1999 e derii në qershor 1999, kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë.

Në rastin e Gjykatës Speciale, mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka kërkuar që të respektohen aktgykimet e Tribunalit të Hagës, dhe që krimet e kryera para majit 1998 dhe pas qershorit 1999, të largohen nga pikat e aktakuzës.

Vendimi i trupit gjykues ishte që kjo do ta fragmentarizonte çështjen, dhe se për këtë do të vendoset me aktgjykimin përfundimtar. Sipas aktakuzës në rastin e krerëve të UÇK-së, ata akuzohen për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, në periudhën mars 1998 deri në shtator 1999.

Përvoja në Tribunalin e Hagës nga Nevenka Tromp

Ish-hetuesja në Tribunalin e Hagës, Nevenka Tromp, në një prononcim për Nacionalen, ka sqaruar se bazuar në vendimet e këtij Tribunali, nisja e konfliktit ishte 28 shkurti, pra beteja në Likoshan, dhe 3 marsi 1998, masakra në familjen Jashari.

“Në narrativën përfaqësuese historike, vrasja e Jasharit dhe familjes së tij nga forcat serbe të sigurisë është përdorur si një tregim për flijim personal për qëllime “më të larta”, domethënë për lirinë dhe pavarësinë e atdheut”, thotë Tromp.

Sipas saj, ka një dallim mes konfliktit dhe konfliktit ndërkombëtar.

“Data e tretë që është përdorur si fillimi i luftës në Kosovë është 24 mars 1999, data kur filloi ndërhyrja e NATO-s. Sipas arkivave të ICTY dhe ICJ, kjo datë shënon fillimin e konfliktit të armatosur ndërkombëtar, ndërmjet shteteve anëtare të NATO-s dhe Serbisë – përkatësisht RFJ-së (Republika Federale e Jugosllavisë), me një shënim të rëndësishëm se partneri i dytë në RFJ – Republika e Malit të Zi dhe udhëheqësia e saj bashkëpunuan me NATO-n. Përcaktimi ligjor i përfundimit të luftës bën një dallim ndërmjet përfundimit të konfliktit të armatosur dhe konfliktit të armatosur ndërkombëtar. Datat e përfundimit të të dyve mund të përkojnë, por nuk është e domosdoshme”, deklaron më tutje Tromp.

Ajo përmend disa data të cilat në Gjykata e aktgjykime të ndryshme, janë përdorur si kohë për përfundimin e konfliktit.

Marrëveshja e Kumanovës, një marrëveshje ushtarako-teknike ndërmjet RFJ-së dhe NATO-s, u nënshkrua më 9 qershor 1999. Kjo marrëveshje i dha fund fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë dhe përcaktoi tërheqjen e forcave jugosllave dhe serbe të sigurisë nga Kosova. Ajo gjithashtu lejoi vendosjen e forcës së udhëhequr nga NATO, KFOR, dhe mundësoi miratimin dhe zbatimin e mëvonshëm të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, me të cilën u vendos një prani ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë”, thotë Tromp.

“Në aktgjykimet e ICTY që trajtojnë konfliktin në Kosovë, përfundimi i konfliktit ndërkombëtar është vendosur më 10 qershor 1999. Megjithatë, armiqësitë në terren vazhduan gjatë gjithë verës së vitit 1999, të shënuara nga përleshjet ndërmjet UÇK-së dhe njësive serbe të mbetura në nivel lokal”, thekson më tutje Nevenka Tromp.

Hetuesja Tromp vlerëson se mbrojtja do të duhej të godiste një tjetër argument, para kohës së konfliktit. Ajo thekson se do të duhej të shfrytëzoheshin faktet se UÇK-ja nuk ka qenë ushtri, e as e organizuar para majit 1998, për t’u konsideruar si forcë ushtarake.

“Konflikti i armatosur është përcaktuar të ketë ekzistuar nga shkurti 1998 deri në shtator apo edhe dhjetor 1999 në një vendim në një gjykatë në Serbi. Konflikti i armatosur ndërkombëtar ka ekzistuar nga 24 marsi deri më 9 qershor 1999. Unë mendoj se gjyqtarët e DHSK-së do të ndjekin atë që GJND-ja e ka përcaktuar tashmë. Mbrojtja mund të kërkojë një datë tjetër për Argumentet Përfundimtare. Ekziston një mundësi e mirë për ta bërë këtë – duke përdorur argumentin se UÇK-ja nuk ishte e organizuar mjaftueshëm para majit 1998 për t’u konsideruar si një “forcë ushtarake”. Kjo do të ishte një nga mënyrat për ta bërë këtë”, thotë Tromp.

Mbetet të shihet me aktgjykimin përfundimtar se cili do të jetë vendimi i gjyqtarëve për periudhën e konfliktit, dhe akuzat e tjera të cilat pritet të kundërshtohen nga mbrojtja.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit