Ndonjëherë janë të gjallët ata që i përndjekin të vdekurit.
Një mjek i kujdesit parësor në Nju Jork e ka ripërcaktuar shprehjen “jeta pas vdekjes”, pasi ka zbuluar se truri mbetet aktiv edhe pasi zemra ndalon së rrahuri, siç përshkruhet në një studim të publikuar në revistën shkencore Resuscitation, raporton nypost.
Kjo do të thotë se personat e shpallur të vdekur ka gjasa që të dëgjojnë mjekët duke shpallur kohën e vdekjes së tyre, pasi ndërpriten përpjekjet për reanimim, raportoi Daily Mail. Ky zbulim i pazakontë u bë publik nga Dr. Sam Parnia i NYU Langone Medical Center në Nju Jork. Ai kishte biseduar me pacientë që u rikthyen në jetë pasi ishin shpallur klinikisht të vdekur — kur zemra ndalon së rrahuri — dhe zbuloi se ata ishin në gjendje të kujtonin me saktësi të habitshme ngjarjet që kishin ndodhur në dhomën e tyre.
Në këtë studim, Parnia shpjegoi edhe pse kujtesa e tyre pas vdekjes ishte kaq e qartë — për shkak të “aktivitetit normal ose pothuajse normal të trurit që është vërejtur deri në një orë gjatë reanimimit”, kishte deklaruar ai më parë për New York Post.
“Jo vetëm që arritëm të tregojmë shenja të vetëdijes së qartë — por gjithashtu treguam se këto përvoja janë unike dhe universale,” tha ai. “Ato janë të ndryshme nga ëndrrat, iluzionet dhe deluzionet.” Këto gjetje duket se bien ndesh me mënyrën tradicionale se si mjekët e shpallin një pacient të vdekur kur zemra ndalon.
Për të kuptuar më mirë këtë mospërputhje mes zemrës dhe mendjes, Parnia dhe ekipi i tij analizuan aktivitetin e trurit dhe nivelin e ndërgjegjësimit te 53 pacientë që i mbijetuan arrestit kardiak në 25 spitale, kryesisht në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Një shifër e konsiderueshme, 40% e pjesëmarrësve, raportuan se kishin kujtime ose mendime të vetëdijshme.
“Në vdekje, ata kanë perceptimin se janë të ndarë nga trupi i tyre,” tha Dr. Parnia, “dhe më pas mund të lëvizin përreth. Por ata janë në atë dhomë [spitali] dhe po mbledhin informacion. Ata ndiheshin plotësisht të vetëdijshëm.”
Pacientët e shpallur klinikisht të vdekur shfaqën gjithashtu rritje të valëve të trurit gama, delta, theta, alfa dhe beta — të lidhura me mendimin dhe ndërgjegjësimin — të regjistruara përmes elektroencefalogramit, një pajisje që mat aktivitetin e trurit me elektroda. Këto u vërejtën 35 deri në 60 minuta pasi zemra kishte ndalur.
Nga këto të dhëna, Dr. Parnia përfundoi se truri është çuditërisht i qëndrueshëm.
“Edhe pse mjekët kanë menduar prej kohësh se truri pëson dëme të përhershme rreth 10 minuta pasi zemra ndalon së furnizuari me oksigjen, puna jonë tregoi se truri mund të shfaqë shenja rikuperimi elektrik për një kohë të gjatë gjatë CPR-së,” tha ai në një deklaratë.
Në fakt, jo vetëm që truri mbijeton — ai funksionon në një nivel të lartë.
Ashtu si një kompjuter që duket i fikur por rindizet, kjo rritje neurologjike besohet se shkakton një gjendje përqendrimi të jashtëzakonshëm, që mund të shpjegojë pse njerëzit mund të dëgjojnë me shumë detaje atë që ndodh rreth tyre — përfshirë shpalljen e vdekjes nga mjekët — edhe pse trupi i tyre teknikisht është i vdekur.
Ky shpërthim energjie gjithashtu u mundëson këtyre personave të kenë qasje të njëkohshme në gjithçka që ndodhet në mendjen e tyre, duke shpjeguar perceptimin se jeta u kalon para syve.
“Ndërsa truri fiket, për shkak të mungesës së rrjedhjes së gjakut gjatë vdekjes, sistemet normale frenues të trurit çaktivizohen, një proces i njohur si disinhibim,” shpjegoi Dr. Parnia. “Kjo u mundëson njerëzve të kenë qasje në të gjithë ndërgjegjen e tyre — të gjitha mendimet, kujtimet, gjendjet emocionale dhe gjithçka që kanë bërë ndonjëherë, të cilat i përjetojnë sërish përmes një perspektive morale dhe etike.”
Përveçse shuan një pjesë të kureshtjes njerëzore për vdekjen, ky hulumtim pionier mund të ndryshojë edhe mënyrën se si mjekët e rikthejnë në punë zemrën ose si trajtojnë dëmtimet e trurit të shkaktuara nga arresti kardiak.










