Një tumor gjigant, me peshë 3.5 kilogramë dhe përmasa rreth 27 centimetra në gjatësi e 17 centimetra në gjerësi, është hequr me sukses nga kaviteti torakal i një pacienti 23-vjeçar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Lidhur me këtë rast, në “KosovaLive” ka qenë i ftuar mjeku Nazmi Kolgeci, i cili ka dhënë detaje për operacionin dhe gjendjen e pacientit.
Kolgeci ka treguar se ndërhyrja kirurgjikale ka zgjatur rreth katër deri në pesë orë dhe se ka qenë një intervenim i rrallë dhe mjaft sfidues.
“Tumoret e tilla janë shumë të rralla, jo vetëm tek ne. Për fat të mirë, nuk kemi pasur asnjë problem. Kemi filluar rreth orës 8, pra ka qenë rreth 4-5 orë intervenim kirurgjik. Ka qenë shumë sfidues, intervenim i rrallë. Pacienti është komplet stabil”, ka thënë Kolgeci.
Ai ka theksuar përmasat e jashtëzakonshme të tumorit, duke e cilësuar rastin si veçanërisht serioz.
“10 centimetra është tumor shumë i madh, por kur merret parasysh se ky tumor është 27 centimetra dhe pesha e tij, bëhet fjalë për diçka jashtëzakonisht serioze”, ka deklaruar ai.








