Familja e një alpinisti australian i cili u zhduk pa lënë gjurmë përgjatë një shtegu të njohur për këmbësorë në Alpet shqiptare prej 8 muajsh kërkon zbardhjen e ngjarjes së mistershme.
Cameron Tëiss, 28 vjeç, nga Australia Jugore, thuhet se po udhëtonte vetëm pa udhërrëfyes në një shteg 17 km midis Valbonës dhe Thethit në veri të Shqipërisë më 13 tetor të vitit të kaluar.
Autoritetet zbuluan sendet personale dhe pasaportën e Twiss në dhomën e tij në një bujtinë në qytetin e Shkodrës, pasi u dha alarmi i zhdukjes.
Ai ishte nisur me një grup turistësh që kishte takuar në Valbonë një natë më parë, por zgjodhi të shkonte vetëm pak më tej.
Policia dhe ekipet e shpëtimit kaluan dy javë duke kërkuar nga toka dhe ajri, madje duke përdorur edhe dronë, por nuk gjetën asnjë gjurmë të australianit të zhdukur.
Familja e Twiss ka angazhuar një hetues privat për zbardhjen e ngjarjes.
“Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, ende nuk kemi përgjigje”, shkroi vëllai i tij Stuart. Deri më tani, policia shqiptare nuk ka gjetur asnjë prove.
“Familja jonë tani ka punësuar hetues privatë, por pavarësisht përpjekjeve të tyre, nuk kemi pasur asnjë përparim”, shprehet ai.
Madje familja ka nisur edhe një fushatë për mbledhje fondesh, që do të ndihmojnë në hetimin dhe zbardhjen e fatit të 28-vjeçarit.

Zhdukja e zotit Twiss shkaktoi teori të shumta, duke përfshirë një sulm nga një ari, një aksident të papritur, një rrëmbim.
Turisti australian u zhduk vetëm dy muaj pasi një burrë lituanez u zhduk në të njëjtin shteg.
Purnima Flanagan, ndau mesazhet e saj të fundit me Twiss më 12 tetor, një ditë para se ai të zhdukej.
Në mesazhin e tij të fundit të dërguar, Twiss tha se po pinte vodka me një “burrë shqiptar, që e kishte njohur rastësisht”.
“Ky ishte Cameron, atij i pëlqen të flasë dhe të shoqërohet me njerëz të tjerë”, tha Flanagan në atë kohë.
Ai ishte udhëtari perfekt dhe gjithmonë bënte miq kudo që shkonte.
“Thjesht nuk e kuptoj se si askush nuk mund të ketë parë ose dëgjuar asgjë. Ai do të kishte bërë miq në atë qytet, ai ishte një alpinist me përvojë dhe orientohej shumë mire”, tha ajo.









