Më 2 dhjetor 1993, vritet në vendlindjen e tij Medelin në Kolumbi, Pablo Eskobar, një ndër mafiozët më të famshëm në histori dhe trafikanti më i fuqishëm i drogës në botë në vitet 1970-1980. Pablo hyri që adoleshent në botën e errët të krimit.
Aktivitetet e tij të hershme të paligjshme, përfshinin shitjen e diplomave të falsifikuara, kontrabandën e magnetofonëve dhe kasetofonëve si dhe vjedhjen e gurëve të varreve për t’i rishitur. Më vonë nisi të vidhte makina, dhe ishte kjo vepër penale që solli edhe arrestimin e tij të parë, në vitin 1974.
Pas daljes nga burgu, Eskobar u përfshi në trafikun e drogës në një kohë kur industria e kokainës në Kolumbi u rrit ndjeshëm, pjesërisht falë afërsisë së saj me Perunë, Ekuadorin dhe Bolivinë, kultivuesit kryesorë të koka-s, bimës nga e cila prodhohet kokaina.
Ai ndihmoi në themelimin e organizatës kriminale, që më vonë u bë e njohur si Karteli Medelin. Partnerët e tij më të njohur ishin vëllezërit Oçoa: Huan David, Horge Luis dhe Fabio. Eskobar ishe kreu i organizatës, e cila u përqendrua kryesisht në prodhimin, transportin dhe shitjen e kokainës.
Nga mesi i viteve 1980, Karteli Medelin dominonte tregtinë e kokainës, teksa Eskobar kishte një pushtet të frikshëm dhe një pasuri të jashtëzakonshme. Sipas disa raporteve, pasuria e tij ishte afërsisht 25 miliardë dollarë.
Ai bënte një jetë shumë luksoze, që përfshinte një pronë prej 2.800 hektarësh, e quajtur Hacienda Nápoles (e emëruar sipas Napolit, Itali) në Kolumbi. Thuhet se ajo kushtonte 63 milionë dollarë dhe kishte një fushë futbolli, statuja dinozaurësh, liqene artificiale, një arenë për ndeshje me dema, një pistë avionësh dhe një fushë tenisi.
Prona kishte gjithashtu një kopsht zoologjik me gjirafa, hipopotamë dhe deve etj. Përveç kësaj, Eskobar financoi projekte të ndryshme për të ndihmuar të varfrit, duke e krahasuar me personazhin legjendar britanik Robin Hud.
Ky perceptim e ndihmoi atë të zgjidhej deputet në zgjedhjet e vitit 1982. Por aktiviteti bamirës u la në hije nga mizoria e njohur e Eskobarit. Ai i trajtonte problemet me qasjen ultimative “plata o plomo”, pra “argjend” (ryshfet) ose “plumb” (vrasje).
Përveç trafikantëve rivalë të drogës, veçanërisht në kartelin e Kalit, viktimat e tij përfshinin zyrtarë qeveritarë, policë por edhe civilë. Në vitin 1989, karteli vendosi një bombë në bordin e një avioni në një përpjekje për të vrarë një informator të dyshuar të policisë.
Shpërthimi vrau më shumë se 100 njerëz. Kërcënimet për ekstradim në Shtetet e Bashkuara – të cilat, si destinacioni i shumicës së drogës së kartelit, e shihnin si një objektiv kryesor në luftën kundër drogës – nxitën hakmarrje edhe më të madhe nga Eskobar, i cili shprehej se “do të preferonte të kishte një varr në Kolumbi, se sa një qeli burgu në SHBA”.
Në mesin e gjakderdhjes në rritje, pati një kërkim masiv për të gjetur dhe kapur Eskobarin, ndërsa qeveria filloi gjithashtu negociatat për dorëzimin e tij. Në qershor 1991, në të njëjtën ditë që Kongresi Kolumbian votoi për të ndaluar vendosjen e ekstradimit në kushtetutën e re të vendit, Eskobari u dorëzua dhe më pas u burgos.
Por burgosja e tij pati pak efekt në aktivitetet e tij kriminale dhe stilin e tij të jetesës. Atij iu lejua të ndërtonte një burg luksoz, i cili u bë i njohur si “La Catedral”. Brenda tij kishte jo vetëm një klub nate, sauna, ujëvarë dhe fushë futbolli, por edhe telefona dhe kompjutera.
Por kur Eskobari torturoi dhe vrau dy anëtarë të kartelit brenda “La Catedral”, zyrtarët vendosën ta transferonin atë në një burg më pak luksoz. Por përpara se të transferohej, Eskobari u arratis nga paraburgimi në korrik 1992.
E ndihmuar nga zyrtarë amerikanë por edhe trafikantë rivalë, qeveria kolumbiane nisi një operacion të ri kërkimi. Më 1 dhjetor 1993, Pablo festoi ditëlindjen e tij të 44-të duke konsumuar tortë, verë dhe marijuanë. Të nesërmen u zbulua vendi i tij i fshehjes në Medelin.
Ndërsa forcat kolumbiane sulmuan ndërtesën, Eskobar dhe një nga truprojat arritën të ngjiteshin në çati. Pasoi një ndjekje dhe shkëmbim zjarri midis palëve, dhe Eskobar u qëllua për vdekje. Ose të paktën ky është versioni zyrtar, sepse pati zëra se ai vrau veten. Menjëherë pas vdekjes së tij, Karteli i Medelin u shpërbë. Edhe brenda familjes së tij pati një përçarje. I biri, Huan Pablo, por edhe nga një nipat e tij, Nikolas, kanë akuzuar direkt vëllain dhe të ëmën e Pablos si tradhtarë, pra si ata që u treguan autoriteteve vendin ku fshihej Pablo.
“Në çdo familje ka rivalitet dhe urrejtje. Djali i Pablos, Huani, është i bindur se xhaxhai i tij Roberto, gjithashtu një trafikant droge, e tradhtoi të vëllain. Unë vetë jam i bindur që ishte nëna e Pablos, ajo që e dorëzoi atë tek autoritetet në mënyrë që të vritej”- është shprehur Nikolas në një intervistë dhënë disa vite më parë.
Edhe të afërm të tjerë mendojnë se ishte nëna e bosit, Hermilda Gaviria, një grua e përshkruar si shumë dinake dhe ambicioze, ajo që e shiti thesarin aq shumë të kërkuar të Pablos. Roberto Eskobar, sot 78-vjeç, pasi bëri 14 vite burg për shkak se ishte kontabilisti i Kartelit Medelin, jeton sot në SHBA dhe merret me biznes.
Ai ka botuar edhe një libër me kujtime, ku hedh poshtë shumë nga akuzat që i bëhen familjes dhe vëllait të tij. Megjithatë, një pjesë e fisit Eskobar por edhe shumë të tjerë, vazhdojnë të dyshojnë se ai është tradhtari i vëllait të tij.
Ngjarje të tjera të rëndësishme që kanë ndodhur më 2 dhjetor:
2 Dhjetor 1804 – Napoleon Bonaparti u kurorëzua si Perandor i Francës në Katedralen e Notrë Dam në Paris. Sipas legjendës, ai e mori kurorën nga duart e Papës dhe e vuri vetë në kokë, për të treguar se pushteti i tij vinte nga populli dhe ushtria dhe jo nga Kisha.
2 Dhjetor 1823 – Në fjalimin e tij vjetor para Kongresit, presidenti i SHBA, Xhejms Monro, shpalli parimin që Amerikat (Veriore dhe Jugore) nuk duhet të konsiderohen më si objekte për kolonizim nga fuqitë evropiane. Kjo doktrinë që mori emrin e tij, formoi bazën e politikës së jashtme amerikane për një shekull.
2 Dhjetor 1942 – Një ekip shkencëtarësh të udhëhequr nga italiani Enriko Fermi në Universitetin e Çikagos, arriti për herë të parë në histori të krijojë dhe të kontrollojë një reaksion bërthamor në zinxhir të qëndrueshëm. Kjo shënoni lindjen e Epokës Bërthamore.
2 Dhjetor 1982 – Dr.Uilliam DeVris, kryen operacionin e parë të transplantimit të një zemre artificiale të plotë tek një njeri. Pacienti Barni Klark, jetoi 112 ditë me organin artificial.






