Katër astronautët e misionit Artemis II kanë rrëfyer për herë të parë eksperiencën e tyre pas kthimit nga një udhëtim 10-ditor rreth Hënës, duke hyrë në histori si njerëzit që kanë udhëtuar më larg nga Toka.
Në një ceremoni të veçantë të organizuar nga NASA në Qendrën Hapësinore Johnson në Houston, Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen u pritën me entuziazëm dhe duartrokitje nga publiku.
Gjatë këtij misioni, ekuipazhi arriti një distancë prej rreth 406,771 kilometrash nga Toka, duke vendosur një rekord të ri në eksplorimin hapësinor.
Astronautët ndanë gjithashtu emocionet dhe sfidat e përjetuara gjatë kësaj eksperience. Christina Koch, e vetmja grua në ekuipazh, veçoi një moment që e kishte prekur thellë.
“Njerëzit na pyesnin se çfarë përshtypje kishim. Nuk ishte vetëm Toka ajo që më tronditi, por errësira e pafund përreth saj. Dukej sikur planeti ynë ishte një anije që qëndronte pezull në univers”, u shpreh ajo.
Misioni Artemis II konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të njerëzve në Hënë dhe më tej, duke shënuar një fazë të re në eksplorimin e hapësirës.









