Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se provat e mbledhur nga Prokuroria Speciale në akuzën kundër saj janë të kundërligjshme.
Në një konferencë për media, tri ditë pas ngritjes së aktakzuës, ministrja Hajdari ka akuzuar Prokurorinë Speciale për motive politike.
Ajo ka shfajësuar vetën e saj duke thënë se ka vepruar në të mirë të vendit, duke marrë parasysh se në kohën e blerjes së mallrave për rezervat shtetërore ishte krizë globale për mallrat esenciale.
“Pretendimet e Prokurorisë janë të kundërligjshme dhe nuk qëndrojnë. Rezervat shtërore janë sekret shtetëror në bazë të ligjit, çdo pretendim tjetër është vetëm pohim në bindje politike”, ka deklaruar Hajdari.
Ajo ka thënë se provat në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale janë të jashtëligjshme.
“Provat e Prokurorisë Speciale janë mbledhur jashtëligjshëm përmes hetuesve që kanë zbatuar e urdhrat e Prokurorit Valdet Gashi i cili i ka dërguar në MINT pa certifikatë të sigurisë. Kjo ndodhi më 1 gusht kur hetuesit pa leje për qasje kanë marrë materialin në departamentin për rezerva shtetërore në MINT, duke u thirrur në autorizimin e prokurorit Valdet Gashi”, ka thënë Hajdari.






