Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër do të zbatohet kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhë.
Sipas ministrisë, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë 32°C ose më shumë.
Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i këtyre automjeteve do të lejohet pa kufizime.
Nga ky vendim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin sipas orarit të përcaktuar.








