Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ka akuzuar ashpër liderët dhe zyrtarët europianë për nxitje të urrejtjes antisemitike, duke e lidhur këtë retorikë me vrasjen e dy punonjësve të ambasadës izraelite në Uashington DC.
Në një konferencë për shtyp në Jerusalem, Sa’ar deklaroi se “ekziston një linjë e drejtpërdrejtë që lidh nxitjen antisemitike dhe anti-izraelite me këtë vrasje,” shkruan The Guardian.
Ai shtoi: “Këtë nxitje e bëjnë edhe drejtues e zyrtarë të shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, sidomos nga Europa. Fjalët e tyre janë ‘blood libel’ (shpifje antisemetike) moderne”.
Sipas tij, akuzat ndaj Izraelit për “gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe vrasje të foshnjave” po krijojnë klimën për akte të tilla dhune. “Kjo është ajo që ndodh kur liderët në botë i dorëzohen propagandës terroriste palestineze dhe i shërbejnë asaj”, u shpreh ministri.
Duke komentuar më tej situatën e sigurisë së Izraelit pas 7 tetorit, Sa’ar theksoi se vendi i tij është në një luftë të shumëfishtë dhe nuk do të dorëzohet përballë kërcënimeve: “Terrorizmi po na ndjek kudo, por ne nuk do t’i dorëzohemi terrorizmit”.
Në fund të fjalimit të tij, ai iu drejtua popullit izraelit me fjalët: “Mbani kokën lart. Asnjë komb tjetër nuk do të kishte qëndruar me kaq guxim, përkushtim dhe qëndrueshmëri në atë që kemi kaluar dhe po kalojmë ende gjatë këtij viti e gjysmë të fundit”.






