Milot Rashica mund të largohet nga Turqia në merkaton e verës. Ylli kosovar kaloi një sezon pozitiv me Beshiktashin dhe mund ta bëjë një hap të madh në javët në vazhdim.
Në fakt, mediat turke raportojnë se futbollisti kosovar mund të përfundojë në Serinë A në sezonin 2025-2026.
Më saktësisht, thuhet se Xhenoa ka bërë ofertë zyrtare për ish-futbollistin e Viteses, Verder Bremenit, Noruiç Sitit e Gallatasarajit.
Klubi italian ka bërë gati 8 milionë euro për kartonin e anësorit ofensiv, ndërsa gjiganti turk duket se i kërkon të paktën 9 milionë.
Pra, palët janë shumë afër mes ofertës dhe kërkesës. Rashica, pas eksperiencave në Bundesligë e në Premie Ligë, mund të rikthehet në një ligë tjetër të fortë evropiane, më saktësisht në Serinë A.
28-vjeçari ka zhvilluar 41 ndeshje me Beshiktashin në sezonin 2024-2025 duke realizuar 5 gola dhe duke dhënë 12 asistime në të gjitha garat.
Vushtrriasi ka kontratë me klubin nga Stambolli deri në vitin 2027, por nuk përjashtohet mundësia që të largohet prej aty në këtë verë.









