Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Afrikën e Jugut, ku një milioner amerikan ka humbur jetën në mënyrë të tmerrshme gjatë një udhëtimi për gjueti.
Asher Watkins, 52-vjeçar nga Teksasi, u sul për vdekje nga një buall i racës Cape Buffalo, me peshë mbi një ton, teksa po e gjurmonte kafshën në zonën e Bambisana-s. Sipas mediave të huaja, bualli është bërë agresiv dhe ka goditur për vdekje Watkins-in në vendngjarje.
Watkins njihej për pasionin e tij të madh për gjuetinë dhe e konsideronte atë si një pjesë të rëndësishme të ruajtjes së jetës së egër. Profilet e tij në rrjetet sociale janë të mbushura me fotografi pranë kafshëve të ngordhura si luanë mali dhe shpendë të egër. Në një nga udhëtimet e tij në Argjentinë, ai ishte mburrur se kishte vrarë mijëra pëllumba brenda vetëm tre ditëve, së bashku me miqtë e tij.
Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur familjen, veçanërisht vajzën e tij adoleshente, Savannah. Ish-bashkëshortja e tij, Courtney, ka deklaruar se vajza është në gjendje shoku pas humbjes së babait.
“Është një realitet që është ende e vështirë të shprehet me fjalë. Zemrat tona janë të rënda ndërsa përballemi me ditët që vijnë, veçanërisht për Savannah, ndërsa ajo mban zi për babanë e saj”, ka thënë ajo për mediat.
Autoritetet lokale në Afrikën e Jugut kanë nisur hetimet për incidentin tragjik, ndërsa trupi i të ndjerit pritet të kthehet në SHBA për ceremoninë mortore.












