Rugova, në një aktivitet kushtuar 400-vjetorit të Ivan Gundulliqit, kundërshtoi publikisht pretendimet serbe, duke i dhënë mbështetje vendimtare shkrimtarëve kroatë.
Profesori universitar dhe shkrimtari Milazim Krasniqi ka ndarë një rrëfim nga viti 1989, kur, së bashku me Ibrahim Rugovën, mori pjesë në një aktivitet të mbajtur në Zagreb për 400-vjetorin e lindjes së poetit të njohur kroat, Ivan Gundulliq. Sipas Krasniqit, atmosfera ishte e tensionuar për shkak të pretendimeve serbe se Gundulliqi ishte “serb”, gjë që kishte shqetësuar thellë shkrimtarët kroatë.
Në përballje me këtë situatë, shkrimtarët kroatë iu ankuan Rugovës për presionin dhe manipulimin serb. Rugova, i njohur për qasje të mençur dhe strategjike, u premtoi se do t’u “luante një rreng” serbëve — dhe e mbajti fjalën.
Në fjalimin e tij zyrtar, ai deklaroi qartë se “bregdeti kroato-shqiptar” dhe trashëgimia letrare e kësaj hapësire i përkasin vetëm kroatëve dhe shqiptarëve, duke përjashtuar kategorikisht çdo pretendim serb. Kjo deklaratë, sipas Krasniqit, i tronditi shkrimtarët serbë, duke përmendur veçanërisht reagimin e ashpër të akademikut Matija Beçkoviq, i cili “u tërbua” nga qëndrimi i Rugovës.
Krasniqi shton se fjalimi i Rugovës ua kishte “prishur lojën” serbëve dhe u kishte dhënë zemër shkrimtarëve kroatë, të cilët atë natë, në darkën e Shoqatës Kroate të Shkrimtarëve, e nderuan në mënyrë të veçantë. Ante Stamaqi, një nga figurat qendrore të kulturës kroate, i kishte thënë Rugovës:
“Zotëri Rugova, ju jeni mysafiri më i dashur dhe më i nderuar sonte në Zagreb.”
Sipas Krasniqit, ndonëse sot Kroacia është e fortë dhe e konsoliduar në debatin e trashëgimisë kulturore me Serbinë, në vitin 1989 ndihma e Rugovës ishte “domethënëse”, duke treguar mençurinë, guximin dhe aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të kundërshtuar manipulimet serbe në skenën ndërkombëtare.






