Nën dyshimin për spiunazh, Policia ka arrestuar të enjten Fatmir Shehollin, i cili në pjesën e parë të viteve ’90 ka qenë pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
Radio Televizioni i Kosovës ka publikuar një audiopërgjim ku është i përfshirë Fatmir Sheholli, analisti që u arrestua një ditë më parë nën dyshimet për spiunazh me Serbinë. Në audio, ai bisedon me dy persona, të cilëve iu tregon për lidhjet e tij me Listën Serbe dhe me Milan Radoiçiç, i shpallur në kërkim nga Kosova.“Unë jam me ta para së gjithash mik i madh, përndryshe edhe punojmë aktivisht. Pozita ime është shumë…për opinionin e çuditshme. Unë kam përkrahje të madhe në Serbi. Kam përkrahje jashtëzakonisht të madhe nga Lista Serbe, në gjithçka..Prandaj them që është mjaft e çuditshme në opinion, por nga ana tjetër…do të thotë që unë duhet të…miku im i madh është Milan Radoiçiç. Miku im i madh, edhe mik i tyre. Kjo që po ndodh, këtë që po flasim merre me rezervë”, thotë Sheholli gjatë bisedës.
Një ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se pas hetimeve disa mujore, kishin arrestuar Shehollin nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh”. Gjithashtu, dje, policia e Kosovës kreu kontrolle në banesën e tij.
Pas luftës, ai ka mbajtur lidhje me politikanë serbë në Kosovë, si dhe ka zhvilluar aktivitet në Institutin për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike.
“I dyshuari F.SH., është arrestuar në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘Spiunazh’, nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK-së. Operacioni i arrestimit është kryer edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pas arrestimit, atij i është bastisur edhe banesa që ndodhet në kryeqytet. Hetuesit e njësive relevante janë parë duke dalë nga objekti ku banon Sheholli, nga i cili kanë sekuestruar edhe materiale, të cilat dyshohet se lidhen me hetimin për veprën penale “Spiunazh”.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se rasti do të trajtohet me “seriozitet të lartë institucional” dhe ka theksuar se “koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar”.
“Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, ka thënë Sveçla.
Krahas dyshimeve për spiunazh, një dokument i AKI-së tregon se ai është i përfshirë edhe në keqpërdorim të buxhetit.
Në mars të këtij viti, KOHA ka raportuar se inspektori i AKI-së ka dorëzuar vjet në Prokurorinë Speciale një raport, në të cilin konstatohet se pa u ndjekur procedurat e brendshme ka pasur rritje buxheti për informatorët, ndërsa shpenzimi i rreth 2 milionë eurove është bërë pa u evidentuar pranuesit, apo edhe në rastet kur ata janë ditur nuk ka pasur të dhëna për informatat e marra në këmbim.
Gjatë viteve 2017-2020, në mesin e atyre që përfituan nga ky fond është edhe Fatmir Sheholli, i cili, sipas raportit, ka pranuar 639 mijë euro prej AKI-së.
Sheholli është paraqitur shpesh në një numër televizionesh në debate në rolin e analistit politik.
Në paraqitjet publike, ai ka thënë se pas luftës ka qenë i angazhuar në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), por edhe e ka pranuar se ka punuar si inspektor i UDB-së në vitet ’90.
E, një shkrim i gazetës “Bujku”, i botuar më 15 mars 1991, tregon se 44 familje Sheholli nga Podujeva dhe rrethina u distancuan publikisht nga Fatmir Sheholli dhe babai i tij, të cilët akuzoheshin për bashkëpunim me pushtetin serb të asaj kohe.
“Ngase distancimi ynë nga Maliq Sheholli dhe i biri i tij Fatmir, i bërë në vitin 1990, i botuar në revistën fetare ‘Dituria Islame’, është më pak i njohur për publikun, e shohim të nevojshme ta njoftojmë opinionin shqipfolës, kudo në botë, se familja e gjerë Sheholli (44 kryefamiljarë) gjithmonë distancohet nga veprimet e këtyre të dyve: Maliqit e Fatmirit”, thuhet në tekstin e botuar në gazetë.
Po ashtu në shkrim theksohej se, Maliqi dhe Fatmiri “janë vënë në shërbim të pushtuesit serb dhe kështu kanë bërë aktin më të ligë njerëzor: tradhtinë kombëtare”.
“Pavarësisht nga veprimet e tyre renegatë, lëvizja jonë gjithëpopullore do të realizojë çlirimin kombëtar. E renegatëve kurrë s’mund t’u hiqet njolla e tradhtisë”, thuhej në fund të letrës, e cila i ishte dërguar redaksisë së “Bujkut”.
Vitin e shkuar, për veprën e spiunazhit, janë arrestuar edhe Bedri Shabani e Muharrem Qerimi.









