Meta po planifikon të publikojë modelin e ri të Inteligjencës Artificiale, Llama 4.X, deri në fund të vitit, duke e bërë këtë një nga projektet kryesore të laboratorit të ri të kompanisë, Meta Superintelligence Labs (MSL).
Modeli i ri, i cili brenda Meta-s njihet edhe si Llama 4.5, po zhvillohet nga një nën-grup i veçantë i quajtur TBD.
Pas lançimit të serisë Llama 4 në prill, e cila u prit me kritika për performancën e kufizuar në detyra praktike, Meta synon që versioni i ri të korrigjojë këto mangësi dhe të sjellë përmirësime të dukshme.
Kompania kishte parashikuar gjithashtu një model tjetër, të quajtur Behemoth, por sipas raportimeve, lansimi i tij është shtyrë.
Në korrik, CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg, deklaroi se MSL është ngritur për të zhvilluar gjeneratën e ardhshme të modeleve të AI-së dhe se përparimet drejt Llama 4.1 dhe 4.2 po ecin me ritëm të mirë.
Kreu i MSL, Alexandr Wang, ka theksuar se ekipi TBD po punon për “trajnimin dhe shkallëzimin e modeleve të mëdha drejt superinteligjencës”.
Megjithatë, edhe pse Meta ka ofruar paketa milionëshe për të rekrutuar ekspertë të AI nga OpenAI dhe Google DeepMind, laboratori i ri tashmë ka humbur disa punonjës të rëndësishëm.
Deri tani, të paktën tetë inxhinierë, studiues dhe një drejtues i lartë produkti kanë lënë kompaninë brenda vetëm dy muajve të fundit.








