Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta ka dënuar me ashpërsinë më të madhe sulmin e mbrëmshëm terrorist në kanalin kryesor të Ibër Lepencit, infrastrukturën jetike të Kosovës.
Ai ka thënë se ky është sulm ka ardhur nga bandat e dirigjuara dhe orkestruara nga Serbia.
“Ky sulm kriminal dhe terrorist, që ka synuar të dëmtojë infrastrukturën kritike dhe ndër më të rëndësishmet të Kosovës, vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia, që ende nuk i ka dënuar këto akte kriminale”, ka shkruar ai.
Meta iu ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që ta dënojnë këtë akt.
“Iu bëjmë thirrje të gjithë vende partnere ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të dënojnë me forcën më të madhe këto sulme terroriste, si dhe t’i ushtrojnë presionin e duhur Beogradit zyrtar për të hequr dorë nga këto akte kriminale që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë”, ka shkruar ndër të tjera Meta.
Mes tjerash, ai ka thënë se fajin dhe përgjegjësinë për këto sulme terroriste nuk e ka formati ekzistues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Postimi i plotë:
Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmet e fundit terroriste në stacionin policor në Zveçan, në Komunën e Zveçanit dhe shpërthimin e detonuar ndaj kanalit kryesor të Ibër Lepencit, prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe Korporata Energjitike e Kosovës.
Ky sulm kriminal dhe terrorist, që ka synuar të dëmtojë infrastrukturën kritike dhe ndër më të rëndësishmet të Kosovës, vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia, që ende nuk i ka dënuar këto akte kriminale.
Fajin dhe përgjegjësinë për këto sulme terroriste nuk e ka formati ekzistues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por mungesa e plotë e vullnetit të Beogradit zyrtar për respektimin e marrëveshjeve me Prishtinën zyrtare, si edhe marrja zyrtarisht në mbrojtje nga Serbia të strukturave kriminale, me në krye Millan Radojçiçin, që mbështeten nga institucionet serbe, që kanë glorifikuar edhe sulmin terrorist në Banjskë, si edhe nga ata shqipfolës, që i mbajnë ison Serbisë, që mbështesin dhe implementojnë nisma proserbe si “Ballkani i Hapur” apo që fajësojnë dhe penalizojnë qëndrimet parimore dhe patriotike të Qeverisë së Kosovës, siç ka vepruar dhe vepron çdo ditë Edi Rama.
Partia e Lirisë, në mbështetje të palëkundur të popullit dhe institucioneve, të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës u bën thirrje të gjithë vende partnere ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, të dënojnë me forcën më të madhe këto sulme terroriste, si dhe t’i ushtrojnë presionin e duhur Beogradit zyrtar për të hequr dorë nga këto akte kriminale që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë.









