Arianit Koci, avokat i njohur, ka shkruar një status, në të cilin ka treguar një rast nga nata e dytë e vitit të ri.
Koci ka shkruar se një qytetar e ka telefonuar, ndërsa e ka hapur telefonin duke menduar se është ndonjë temë urgjente.
Në fund, Koci ka tingëlluar i nervozuar me qytetarin.
“Kam vullnet dhe energji për të ndihmuar nevojtarët, por të tillët që më thërrasin natën e festës pa arsye emergjente, pa pikë respekti – nuk i marr fare si klientë, sado që paguajnë.
Mësohuni, avokatin e thirrni natën dhe festave, vetëm në raste kur ndaloheni nga policia, ose kur diçka është shumë urgjente” – ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Jam i vetëdijshëm që si avokat, shpesh jam shpresa e vetme ose e fundit e klientit.
Profesioni im është i tillë: në shërbim të njerëzve me halle.
Për këtë arsye, jap maksimumin për t’i ndihmuar.
Telefonin e mbaj hapur 24 orë!
Shpesh më prishet gjumi dhe në tre të mëngjesit shkoj në polici.
Ndalohet një i dyshuar për arsye të ndryshme.
Ka raste kur më ka zënë mëngjesi rrugëve dhe kam vazhduar ditën me gjykime, sikur të kisha fjetur.
Kjo më ndodhi edhe para dy netëve. Shkoj pa pritesë dhe me shumë vullnet e energji.
Por nuk e duroj kur më thërret ndonjë “frajer” natën e dytë të Vitit të Ri, në 21:45, për një lëndë civile që është në gjykatë prej 17 vitesh.
“Avokat, kam një problem të madh,” thotë një zë i trashë.
“Ku je i ndaluar ?” e pyes.
“Jo, jo, s’jam i ndaluar, por kam një lëndë civile që s’po zgjidhet.”
“Nëse s’e di, sonte gjykatat nuk punojnë. As nesër,” ia kthej dhe e mbylli telefonin.
Kam vullnet dhe energji për të ndihmuar nevojtarët, por të tillët që më thërrasin natën e festës pa arsye emergjente, pa pikë respekti – nuk i marr fare si klientë, sado që paguajnë.
Mësohuni, avokatin e thirrni natën dhe festave, vetëm në raste kur ndaloheni nga policia, ose kur diçka është shumë urgjente.






