Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, më 20 mars do ta publikojë listën e lojtarëve për ndeshjen shumë të rëndësishme kundër Kombëtares së Sllovakisë.
Ndeshja mes Kosovës dhe Sllovakisë luhet më 26 mars në Bratislavë dhe është gjysmëfinalja e play-offit kualifikues për Kupën e Botës 2026.
Kjo pritet të jetë lista më e rëndësishme e Fodës që nga momenti kur ai mori drejtimin e Kombëtares së Kosovës, pasi “Dardanët” janë vetëm dy ndeshje larg një kualifikimi historik në Botëror.

Fituesi i këtij takimi do të sigurojë finalen e play-offit, ku do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Kombëtares së Turqisë dhe Kombëtares së Rumanisë.
Ndeshja finale zhvillohet më 31 mars, e nëse kalojmë ne, atëherë do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”.
Sa i përket listës, nuk priten ndryshime të mëdha krahasuar me grumbullimet e mëparshme. Kosovës zyrtarisht do t’i mungojë kapiteni Amir Rrahmani për shkak të një lëndimi.
Ndërkohë, Ilir Krasniqi pritet të jetë në dispozicion, pavarësisht një dëmtimi të pësuar disa ditë më parë.

Mungesë pritet të jetë edhe sulmuesi i Rubin Kazan, Dardan Shabanhaxhaj, i cili ishte i ftuar për herë të parë, por është i lënduar dhe nuk do të mund të ndihmojë ekipin.
Kombëtarja e Kosovës do të nisë grumbullimin më 23 mars për ndeshjen ndaj Sllovakisë.









