Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka dërguar mesazhe të drejtpërdrejta politike, duke deklaruar se Maqedonia e Veriut mund të funksionojë dhe të mbijetojë vetëm përmes bashkëjetesës së qëndrueshme ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve.
Ahmeti ka theksuar se ndarjet dhe përçarjet i bëjnë palët të pafuqishme, duke paralajmëruar se një qasje e tillë e dobëson shtetin dhe e bën atë të parëndësishëm në rajon.
Gjatë fjalës së tij, kreu i BDI-së ka thumbuar ashpër edhe ata që, sipas tij, po përpiqen të përfaqësojnë shqiptarët në institucionet shtetërore pa legjitimitet, duke përdorur një metaforë të fortë për drejtimin e shtetit.
“Këtyre tani që përpiqen të na përfaqësojnë pa legjitimitet në institucionet shtetërore. Institucioni dhe shteti është porsi pushka, po nuk dite ta përdorësh do të hysh therrave e do të qash si grua. Këta e kishin parë se si ne po ngrisim shkallë-shkallë lavdinë e shqiptarëve në një demonstrim të shtetformësisë, se ky shtet mund të jetojë e mbijetojë me bashkëjetesë të qëndrueshme mes dy kombeve më të mëdha – maqedonasve dhe shqiptarëve. Të veçuar e të ndarë jemi të pafuqishëm, e dobësojmë shtetin dhe e bëjmë të parëndësishëm në rajon”, ka deklaruar Ahmeti.









