Qindra mërgimtarë shqiptarë janë mbledhur sot në Helvetiaplatz të Zürichut, në një tubim paqësor në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Tubimi është zhvilluar me moton “Jo në emrin tim” dhe është organizuar nga një grup të rinjsh shqiptarë në Zvicër. Pjesëmarrësit kanë mbajtur flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së, duke shprehur solidaritetin e tyre me ish-krerët e saj dhe pakënaqësinë ndaj vendimit të marrë në Hagë.
Organizatorët kanë bërë thirrje që protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe kanë bërë të ditur se aktiviteti është mbajtur me leje zyrtare nga Policia e Zürichut.
Tubimi në Zürich vjen në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga mërgata shqiptare pas shpalljes së vendimit në Hagë. Pjesëmarrësit kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së dhe kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër vendimit të Gjykatës Speciale.
Aktivitete të ngjashme të komunitetit shqiptar janë paralajmëruar edhe në vende të tjera, në shenjë solidariteti me ish-krerët e UÇK-së dhe në kundërshtim me vendimin e gjykatës.








