Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku në Politiko ka kritikuar ashpër deklaratat e sotme të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, duke thënë se ato nuk qëndrojnë dhe se nuk ka besim te Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti.
Lushtaku në Politiko tha se çdo marrëveshje për çështje të rëndësishme politike, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit, duhet të bazohet në pajtueshmëri të plotë për kriteret, parimet dhe personat që do të mbështeten.
Ai ka kujtuar se, ideja e bashkëpunimit dhe dakordimit të përbashkët ka qenë e pranishme deri më 5 mars, por është cenuar më pas.
Deputeti i PDK-së ka akuzuar Vetëvendosjen për mospërmbushje të zotimeve të mëhershme, duke përmendur edhe raste të ndryshme politike si shembuj të mungesës së llogaridhënies dhe transparencës, përfshirë çështje të ndjeshme të së kaluarës, duke përfshirë këtu edhe rastin Dehari.
Sipas Lushtakut, veprimet e deritanishme të VV-së dhe Kurtit tregojnë, sipas tij, mungesë besueshmërie dhe devijim nga parimet e deklaruara publikisht.









