Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli, ka thënë se marrëveshja e arritur me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri, është rezultat i një procesi të koordinuar dhe të mbështetur nga strukturat e larta të partisë.
Meholli u shpreh se Tahiri është politikan me përvojë dhe se një marrëveshje e tillë nuk do të ishte arritur pa dakordimin e brendshëm të LDK-së.
“Kemi negociuar edhe me z. Xhafer Tahiri, edhe me ekipet tona, por edhe me kryeministrin Kurti që e mbështet në plotni këtë marrëveshje. Xhafer Tahiri është një politikan me përvojë, me një background akademik të lartë. Nuk mendoj se mund të bëjë marrëveshje pa një koordinim paraprak me strukturat e partisë”, ka deklaruar Meholli.
Ai ka theksuar se marrëveshja është produkt i një bashkëpunimi korrekt dhe se mbetet i përkushtuar ndaj saj. “Është i çuditshëm i gjithë ky reagim, por qytetarët e Vushtrrisë e dinë se ky është koalicion i fitores dhe i ndërrimit të pushtetit. Kuptoj që shumë njerëzve u prishen pazaret në komunën e Vushtrrisë, të cilët e kanë shfrytëzuar pushtetin për qëllime të veta”, ka shtuar ai.
Meholli tha se marrëveshja nuk është kundër askujt, por synon të sjellë ndryshim në qeverisjen lokale. Sipas tij, ajo parashikon ndarje proporcionale të pushtetit mes dy subjekteve, ndërsa disa pika të saj do të detajohen në ditët në vijim.
“Kjo është marrëveshje që e bën me pushtet edhe LDK-në, sepse kemi ndarje proporcionale aty sipas marrëveshjes politike. Disa prej gjërave i kemi detajuar, disa të tjera vazhdojmë t’i detajojmë”, ka thënë Meholli, duke shtuar se deri më 9 nëntor pritet të ketë më shumë detaje rreth kësaj marrëveshjeje.









