Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar pas padisë që i është dorëzuar nga Aziz Kryeziu, babai i Përparim Kryeziut, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Në një postim në ‘Facebook’, Mehmetaj ka thënë se padia është lidhur me një deklaratë të tij ku kishte përmendur se babai i Kryeziut ka punuar si polic gjatë kohës së Serbisë.
Ai ka shtuar se, sipas dokumenteve të dorëzuara për padinë, është konfirmuar se Azizi ka shërbyer si polic i Njësisë së Veçantë.
Gazetari ka sqaruar se një gabim i tij ishte përdorimi i termit “polic” në vend të “milic”.
“Më fal milic që të kam thënë polic”, shkroi ai.
Mehmetaj ka vënë në pah se Përparimi Kryeziu s’ka përgjegjësi për veprimtarinë e babait të tij, por ka kritikuar mungesën e reagimit publik për aktivitetin e babait kundër kombit të vet.
Ai ka shtuar gjithashtu: “Veç paramendojeni sikur djali i ndonjë milici të Serbisë të ishte gazetar që e kritikon Kurtin? A po e shihni që këta nuk e kanë as me Serbi e as nuk kanë lidhje me patriotizëm. Legena hesapi.”








