Mediat kryesore në Irlandë i kanë kushtuar vëmendje fitores së Kosovës ndaj kombëtares së tyre me rezultat 1-0 në Prishtinë.
“Dardanët” dominuan gjatë ndeshjes dhe krijuan disa mundësi shënimi, ndërsa fitoren e vulosi Vedat Muriqi në minutën e 83-të, duke shënuar me kokë.
“Independent” e ka cilësuar ndeshjen si një “natë për t’u harruar” për Irlandën, duke vlerësuar se fitorja e Kosovës ishte më se e merituar.
“Një natë për t’u harruar për Irlandën, me Vedat Muriqin që shënoi golin e vonshëm për t’ia siguruar pikët e plota nikoqirëve. Ishte më shumë se e merituar, Irlanda ishte me fat që nuk humbi me më shumë gola”, shkroi mediumi irlandez.
Edhe “Irish Times” e ka vlerësuar paraqitjen e Kosovës, duke theksuar dominimin e “Dardanëve”, pavarësisht se ndeshja përfundoi vetëm me një gol diferencë.
Kosova ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve do ta zhvillojë të dielën ndaj Austrisë.








