Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, është në qendër të vëmendjes së mediumeve spanjolle, jo vetëm si shënuesi i dytë më i mirë në kampionat me 23 gola, por edhe nga rënie prej lige e skuadrës së tij, Mallorca.
“Muriqi nuk është “Pirati”, ai është thesari!, është titulli i mediumit spanjoll “As”.
“Interesimi për Vedat Muriqin po rritet pas rënies së Mallorcas nga elita e futbollit spanjoll.
Lamtumirat zakonisht janë të hidhura. Ka momente lumturie në disa raste, por shumica mbushen me nostalgji, dhimbje dhe lot.
Edhe pse ende nuk ka një vendim zyrtar, gjithçka të bën të mendosh se tifozët e Mallorcas mund të përjetojnë pikërisht këtë me Vedat Muriqin.
Pavarësisht rënies së skuadrës nga La Liga, 23 golat e Vedat Muriqit dëshmojnë efikasitetin e një sulmuesi të jashtëzakonshëm para portës. Lojtari nga Kosova është ndoshta futbollisti më i kërkuar në tregun veror te Mallorca.
Vetëm emri i portugezit Samu Costa mund t’i afrohet vlerës që ka aktualisht sulmuesi i skuadrës.
Muriqi përfiton një pagë që konsiderohet pothuajse e papërballueshme për Segunda Divisiin.
Edhe pse nuk ka shifra zyrtare, paga e tij mendohet të jetë rreth katër milionë euro bruto në vit. I mbrojtur nga një klauzolë afër 40 milionë eurove, klubi është i vetëdijshëm se ofertat do të vijnë më të ulëta për shkak të situatës sportive dhe ekonomike pas rënies nga liga.
Liga turke ka ruajtur gjithmonë interesimin për sulmuesin.
Muriqi nuk do ta shihte me sy të keq një rikthim, edhe pse ndihet jashtëzakonisht i lidhur me ishullin dhe gjithçka që ka përjetuar gjatë kësaj periudhe. Fenerbahçe nuk e ka humbur kurrë kontaktin me kosovarin dhe madje thuhet se i ka ofruar kushte financiare shumë më të mira sesa ato që mund të ofrojë aktualisht Mallorca.
Edhe Galatasaray e kishte në radar golashënuesin kryesor të Mallorcas, sidomos kur përflitej për një zëvendësues të mundshëm të Mauro Icardit.
Milionat nga Arabia Saudite po ashtu e tunduan Vedatin.
Vetë futbollisti ka pranuar në intervista të ndryshme se kishte marrë oferta nga Lindja e Mesme, por ai kishte zgjedhur të vlerësonte faktorë personalë dhe sportivë, duke vendosur të qëndrojë në Mallorca.
Madje edhe në kampionatin spanjoll, Muriqi ka treguar se kishte oferta nga klube që luanin në garat evropiane këtë sezon. Emri i fundit i madh që u lidh me sulmuesin erdhi nga media katalanase: Barcelona.
Trajnerit Hansi Flick i pëlqen profili i kosovarit dhe, pas ndërtimit të një skuadre kampione të La Ligës, shihej me interes mundësia e afrimit të një sulmuesi cilësor për një rol dytësor në repartin ofensiv.
Në orët e fundit është shtuar edhe më shumë pasiguria pas publikimit të Vedatit në rrjetet sociale.
Në mesazhin e tij, sulmuesi shpreh vlerësime të mëdha për Mallorcan, por pa konfirmuar një vazhdimësi të mundshme.
Gjithashtu nuk ka bërë të ditur largimin, por çdo mesazh në situatën aktuale të klubit tingëllon si një lamtumirë e mundshme.
Do të ishte krejt normale dhe duket pothuajse e pamundur që Mallorca ta mbajë.
Klubi vështirë se mund të përballojë pagën e tij apo të ndalë zhvillimin e një futbollisti të këtij niveli duke e mbajtur në kategorinë e dytë, përveç nëse vetë lojtari vendos t’u japë përparësi arsyeve personale dhe emocionale mbi ato financiare e sportive.
Dhe nëse ka dikush që mund të marrë një vendim me zemër, duke vendosur ndjenjat para logjikës së futbollit, ai është Vedat Muriqi”, ka shkruar media spanjolle.









