Media argjentinase shkruan për Kosovën, tregon detaje interesante dhe habit për Granit Xhakën! 

Granit Xhaka, kapiteni i Zvicrës që do të përballet me Argjentinën, historia e mërgimit, karakterit dhe rrënjëve nga Kosova, është titulli i gazetës argjentinase “Canal 26”.

“Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, vjen në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026 kundër Argjentinës me një histori të jashtëzakonshme jetësore, të formësuar nga mërgimi i familjes së tij, kujtesa për Kosovën dhe një identitet që nuk është shkëputur kurrë nga rrënjët shqiptare.

Granit Xhaka nuk është vetëm kapiteni i Zvicrës dhe një nga mesfushorët më të njohur të futbollit evropian.

Ai është edhe simbol i një historie familjare të shënuar nga përndjekja politike, mërgimi dhe sakrifica”, ka shkruar media argjentinase.

“Në prag të përballjes së madhe mes Zvicrës dhe Argjentinës në çerekfinalen e Botërorit 2026, emri i Xhakës është sërish në qendër të vëmendjes, jo vetëm për rolin e tij si lider në fushë, por edhe për gjithçka që përfaqëson jashtë saj.

Ndeshja do të zhvillohet të dielën, më 12 korrik, në stadiumin “Kansas City”, ku Zvicra synon të shkruajë histori.
Historia e vështirë familjare e Granit Xhakës

Për ta kuptuar Granit Xhakën duhet parë shumë përtej futbollit.

Babai i tij, Ragip Xhaka, ka lindur në Kosovë dhe në rininë e tij mori pjesë në demonstratat studentore kundër regjimit ish jugosllav.

Për shkak të aktivitetit të tij politik, ai u arrestua dhe u dënua me disa vite burg.

Sipas rrëfimeve të publikuara ndër vite në media evropiane, Ragip Xhaka kaloi vite të vështira në burg, në kushte çnjerëzore, ku përjetoi edhe dhunë fizike e tortura. Ato përvoja lanë gjurmë të thella në familje dhe u bënë pjesë e identitetit të djalit të tij.

Kjo histori e rezistencës, sakrificës dhe mbijetesës shpjegon në masë të madhe karakterin e Granit Xhakës, i cili njihet për temperamentin, shpirtin luftarak, disiplinën dhe aftësinë e tij udhëheqëse.

Fillimi i një jete të re në Zvicër

Pas vuajtjeve të Ragip Xhakës dhe rritjes së tensioneve në Kosovë, familja u shpërngul në Zvicër për të nisur një jetë të re. Graniti lindi në Bazel në vitin 1992, por u rrit duke dëgjuar historitë e vendlindjes së prindërve të tij dhe sakrificat që ata kishin kaluar:, ka shkruar media argjentinase.

“Edhe nëna e tij, Elmaze Xhaka, pati një rol të rëndësishëm në jetën e familjes. Ajo, së bashku me Ragipin, punoi pa u lodhur për t’u siguruar fëmijëve një të ardhme më të mirë në një vend të huaj.

Granit Xhaka ka treguar në intervista të ndryshme se që në moshë të vogël mësoi të ishte i përgjegjshëm. Ndërsa prindërit punonin për të mbajtur familjen, ai dhe vëllai i tij, Taulant Xhaka, kalonin shumë orë vetëm në shtëpi. Pikërisht ajo fëmijëri, e mbushur me sfida dhe sakrifica, e formësoi njeriun dhe futbollistin që sot mban shiritin e kapitenit të Zvicrës dhe është një nga figurat më të respektuara të futbollit evropian.

Historia e familjes Xhaka dhe rrënjët nga Kosova që formësuan kapitenin e Zvicrës

Rasti i familjes Xhaka nuk është i vetmi. Gjatë viteve ’80 dhe ’90, mijëra familje shqiptare nga Kosova emigruan drejt vendeve të Evropës Perëndimore, veçanërisht në Zvicër, Gjermani dhe shtete të tjera, për t’i shpëtuar represionit politik, pasigurisë dhe më vonë luftës në Kosovë.

Pikërisht nga kjo diasporë doli një brez futbollistësh me prejardhje shqiptare që ndryshoi përgjithmonë identitetin e Kombëtares së Zvicrës.

Kosova, Serbia dhe një rivalitet që shkon përtej futbollit

Për futbollistë si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të dy me rrënjë nga Kosova, përballjet me Serbinë kanë një ngarkesë të veçantë emocionale dhe historike. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, ndërsa Serbia vazhdon të mos e njohë atë, duke mbajtur të hapura tensionet historike mes dy vendeve.

Momenti më i përfolur ndodhi në Kupën e Botës “Rusia 2018”, kur Zvicra mposhti Serbinë me rezultat 2:1. Granit Xhaka shënoi një gol vendimtar dhe e festoi duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare. Të njëjtin veprim e bëri edhe Xherdan Shaqiri, autor i golit të fitores.

Për shumë shqiptarë dhe kosovarë ky ishte një simbol krenarie dhe identiteti, ndërsa nga një pjesë e opinionit serb u interpretua si provokim.

Pas ndeshjes, FIFA i gjobiti Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin me nga 10 mijë franga zvicerane për sjellje josportive, megjithëse të dy vazhduan të luanin në turne. Po ashtu, u ndëshkua edhe Federata e Futbollit e Serbisë për incidente të shkaktuara nga tifozët e saj, përfshirë mesazhe diskriminuese dhe hedhje të sendeve në fushë.

Shqiponja dykrenare – simbol i identitetit

Gesti i shqiponjës dykrenare u bë një nga imazhet më të njohura të Botërorit 2018. Përtej festimit të një goli, ai u pa si shprehje e identitetit dhe e lidhjes me prejardhjen familjare.

Shqiponja dykrenare është simboli kryesor i flamurit kombëtar shqiptar dhe përdoret gjerësisht nga diaspora shqiptare në mbarë botën si shenjë krenarie, kujtese dhe identiteti kulturor.

Për këtë arsye, sa herë që Granit Xhaka përballet me Serbinë, figura e tij merr një dimension që shkon përtej futbollit. Ai shihet si biri i një familjeje të mërguar dhe përfaqësues i një brezi që lindi larg Kosovës, por që nuk i harroi kurrë rrënjët e tij.

Nga Bazeli në elitën e futbollit evropian

Në aspektin sportiv, Granit Xhaka ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme. Ai u formua te Baseli, më pas luajti për Borussia Mönchengladbach, Arsenalin, Bayer Leverkusenin dhe Sunderlandin.

Te Arsenali përjetoi momente të vështira dhe suksese të mëdha, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Më pas rindërtoi imazhin e tij me paraqitje të shkëlqyera dhe lidership të spikatur.

Një nga kulmet e karrierës ishte periudha te Bayer Leverkuseni, ku në vitin 2024 fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, duke qenë pjesë e sezonit historik të klubit gjerman. Në vitin 2025 u rikthye në Premier League, duke iu bashkuar Sunderlandit si një lojtar me përvojë dhe autoritet.

Një tjetër sfidë e madhe kundër Argjentinës

Tashmë Granit Xhaka do të udhëheqë Zvicrën në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026 kundër Argjentinës. Zvicra siguroi kualifikimin pasi eliminoi Kolumbinë pas penalltive, ndërsa Argjentina kaloi Egjiptin pas një përmbysjeje dramatike.

Për Zvicrën, kualifikimi në gjysmëfinale do të ishte një sukses historik. Për Argjentinën, kampione në fuqi e botës, synimi mbetet mbrojtja e titullit.

Për Granit Xhakën, kjo është edhe një mundësi tjetër për të dëshmuar se karriera e tij është ndërtuar mbi sfida të mëdha, presion maksimal dhe një histori familjare që e ka motivuar gjithmonë të luftojë deri në fund.

Granit Xhaka është shumë më tepër se kapiteni i Zvicrës. Ai është biri i prindërve të mërguar nga Kosova, trashëgimtar i një historie sakrifice dhe një nga figurat më të rëndësishme të një kombëtareje multikulturore që i ka kthyer rrënjët e saj në forcë dhe identitet në futboll”, ka shkruar media argjentinase.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit