Kreu i AAK-së dhe kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili tha se historikisht Kosova ka pasur më shumë armatim nëpër oda sesa në kazermat e ushtrisë, duke e cilësuar këtë si shenjë të mungesës së kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes.
Haradinaj ka theksuar se lidhja e shqiptarit me armën është realitet historik dhe nevojë sigurie, sidomos për shkak të pozitës gjeopolitike të Kosovës dhe fqinjësisë me Serbinë.
“Mendoj që shqiptari pa armë s’është në rregull. Ne jetojmë në kufi me Serbinë, e cila jo vetëm në planin ekonomik që e ka ofertën hapur. Por, sidomos në planin e sigurisë e ka ofertën e hapur në siguri edhe me Rusinë edhe me Kinën edhe me këndo. Derisa nuk i ki mekanizmat e mirëfilltë që të mbrojnë, ne e kemi fatmirësisht NATO dhe ushtrinë amerikanë këtu. Mendoj që lidhja e shqiptarit me armën duhet të institucionalizohet… edhe unë kurrë se kisha lënë shqiptarin pa armë sepse jemi në kufi”, ka thënë Haradinaj.








