E njëjta dorë që e nënshkroi dekretimin e Zejnullah Gashit si kryeprokuror të shtetit, e kishte denoncuar atë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila e mirëpriti në zyrë sot Zejnullah Gashin, kishte thënë para disa kohësh në polici se në zyrën e saj kishte ardhur pa paralajmërim.
Në një raportim të Kallxo.com, tregohej se si Zejnullah Gashi kishte shkuar pa ftuar në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë gjatë kohës sa Haxhiu shërbente si udhëheqëse e këtij dikasteri.
Deklarata e Haxhiut që kishte dhënë në polici zbardhte se si kryeprokurori aktual, Zejnullah Gashi, kishte shkuar pa paralajmërim në zyrën e saj për t’i sqaruar Haxhiut se nuk po e bënte një hetim për hakmarrje politike.
Pas prezencës së Zejnullah Gashit në zyrën e atëbotë ministres pa paralajmërim, kjo e fundit e kishte denoncuar në polici, për çka edhe ishte marrë në pyetje në korrikun e 2024-ës.
Megjithatë, veç dy vite më pas, Albulena Haxhiu njoftoi se personin e denoncuar nga ajo, po e dekretonte me dorën e saj.
“Sot prita në takim z. Zejnulla Gashi, të cilit i dorëzova dekretin për emërimin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit“, u tha në njoftim.
Po ashtu, si për ironi, Haxhiu bëri të ditur se ia ka dhënë një orientim se në çka të jetë fokusi i Gashit.
“Beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës“, u tha ndër të tjera në njoftim.
Dekretimi i Zejnullah Gashit u bë veç pak ditë pasi që ai mori votat e nevojshme në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Emri i tij u dërgua në zyrën e Presidencës.








