Një sulm ajror izraelit goditi dje një ndërtesë banimi në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës, duke shënjestruar një nga figurat më të njohura dhe njëkohësisht më enigmatike të udhëheqjes ushtarake të Hamasit: Abu Obeida, zëdhënësi historik i brigadave al-Qassam.
Operacioni, i kryer nga forcat izraelite me mbështetjen e shërbimit të sigurisë Shin Bet, përdori municione precize dhe mbikëqyrje ajrore, në përpjekje për të minimizuar viktimat civile. Megjithatë, sipas raporteve nga Gaza, gjatë bombardimit humbën jetën të paktën njëmbëdhjetë persona, mes tyre edhe disa fëmijë.
Një burim palestinez u tha sot kanaleve Al Arabiya dhe Al Hadath se Obeida kishte vdekur dhe konfirmoi se Izraeli kishte goditur një shtëpi ku ai ndodhej, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave në ndërtesë.

Sipas të njëjtit burim, familja dhe udhëheqës të brigadave kanë konfirmuar vrasjen e Obeidës pasi kishin identifikuar trupin e tij. Një zëdhënës izraelit kishte deklaruar një ditë më parë se “një lider i rëndësishëm i Hamasit ishte shënjestruar në Gaza”.
Tel Avivi nuk e ka konfirmuar zyrtarisht identitetin e objektivit, por disa media lokale dhe burime sigurie kanë raportuar se bëhej fjalë pikërisht për zëdhënësin enigmatik. Burime izraelite kanë folur për “optimizëm të kujdesshëm” mbi rezultatin e operacionit, ndërsa Hamasi ka mohuar lajmin e vrasjes duke e quajtur atë një fushatë të “luftës psikologjike” për të dobësuar lëvizjen.
Obeida, një figurë simbolike e propagandës ushtarake të Hamasit, ndërtoi imazhin e tij mbi misterin. Ai u shfaq gjithmonë në publik me fytyrën e mbuluar nga një kefije bardh e kuqe, duke evokuar figurën e luftëtarit Emad Aqil, i vrarë në vitin 1993 dhe kthyer në martir. Emrin e betejës e mori nga një shok i profetit Muhamed, ndërsa identiteti i tij i vërtetë ka mbetur gjatë i panjohur. Sipas disa burimeve, ai do të ishte lindur në Jabalia. I përfshirë që i ri në brigadat al-Qassam, që nga viti 2002 u mor me hartimin e komunikatave zyrtare. Momenti i tij i madh erdhi në vitin 2006, kur njoftoi kapjen e ushtarit izraelit Gilad Shalit. Që prej asaj kohe, ai u bë zëri zyrtar i lëvizjes së armatosur, me mesazhe të shkurtra, të drejtpërdrejta dhe të dizajnuara për të forcuar narrativën e “rezistencës”.

Përtej rolit propagandistik, biografët i kanë atribuuar edhe një profil akademik: në vitin 2013 ai do të kishte marrë një diplomë në Teologji. Në vitet e fundit, përmes njësisë së quajtur “Ombra”, ai ka mbikëqyrur menaxhimin e pengjeve izraelite. Atyre i dedikohen lirimet e bujshme të shoqëruara me guerrilas me uniformë, skenografi të përgatitura, dokumente zyrtare, vula dhe një prodhim të vazhdueshëm videosh. Mesazhet e tij shoqëruan momentet më të tensionuara të konfliktit: thirrje të pengjeve nga tunelet, deklarata të imponuara, imazhe të të burgosurve të sëmurë ose në prag të vdekjes. Një arsenal i tërë mediatik për të rritur presionin politik dhe psikologjik.
Me përparimin e operacioneve të ushtrisë izraelite, Obeida reduktoi daljet e tij publike. Pas gati katër muajsh heshtjeje, ai u rikthye me një mesazh në korrik dhe të premten e fundit dha një tjetër deklaratë për Al Jazeera, ku paralajmëroi se pushtimi i mundshëm i qytetit të Gazës do të ishte “një katastrofë politike dhe ushtarake për Izraelin”. Vetëm disa orë pas këtyre fjalëve, aviacioni izraelit goditi ndërtesën ku, sipas shërbimeve të sigurisë, ai ndodhej.
Se sa mund të dobësohet Hamasi nga kjo humbje, nëse vrasja e Obeidës do të konfirmohet, mbetet ende e paqartë. /Përshtatur nga “Il Giornale”










