“Me bunar s’mundem me punu më, se s’kam zemër”, i mituri që humbi babain në Lybeniq kishte ndërprerë shkollimin për t’i ndihmuar familjes

B.P., 17-vjeçar, humbi babain më 28 shtator të këtij viti. Në ditën që llogaritej të ishte pushim, të dielën, ata kishin shkuar bashkë për të punuar në një bunar në Lybeniq të Pejës, rreth 20 metra i thellë, nga i cili i ati nuk arriti të dilte i gjallë. Babë e bir e bënin këtë punë bashkë dhe vetëm dy ditë para ngjarjes tragjike, i mituri thotë se kishin kryer “me lehtësi” punën në një tjetër bunar me thellësi 25 metra….

B.P., e ka ndërprerë shkollimin në klasën e nëntë për shkak se i duhej ta ndihmonte familjen. Tani me vdekjen e babait, përgjegjësia ka rënë mbi të. Ndonëse i mitur, ai thotë se po punon “argat” saherë që dikush ka nevojë për punë. Por me bunar, deklaron se nuk do të punojë më kurrë. Ajo ishte puna që ia mori jetën babait të tij.

Mes dhimbjes së madhe, i mituri nga komuniteti egjiptian, ka rrëfyer për Gazetën Express momentin më të vështirë të jetës së tij. Vdekjen e babait.

Në rrjetin social TikTok prej kohësh kjo familje kishte hapur një llogari “pastrim bunarësh”, dhe aty e kishte marrë numrin edhe pronari i një bunari nga Lybeniqi i Pejës.

“E ka thirrë babain, bunari ka qenë i thellë 20 metra”.

Po të ecte puna mbarë sikurse në vendet e tjera, i mituri shprehet i bindur që gjithçka do të përfundonte brenda orës dhe “babai do të dilte i gjallë”, thotë ai.

“Jemi shku unë, babai im i ndjeri dhe djali i axhës me pastru bunarin”.

Sipas versionit që ai rrëfen se çka ndodhi në bunar, deklaron se “s’ka pas ajër aty, qysh na kanë thënë ka pas gazra dhe nuk ka mujtë me i duru (ka pas gazra të këqija), aty për aty ka ndërru jetë…”, deklaroi i mituri teksa po fliste për Gazetën Express në prani të nënës së tij.

“Unë e kam pa krejt ngjarjen me sy”

B.P., u trondit kur babai i tij nuk po dilte nga bunari, “krejt kohën aty jam kanë. E përjetova shumë rëndë”, shprehet ai.

“Rreth 8 orë e gjysmë ka mbetë në ujë, 20 metra thellësi…Prej 14:30 deri në 22:15, s’ka dalë s’e kanë qitë jashtë babën…”, vazhdon rrëfimin.

“Krejt kohën e kam në mendje, nonstop para syve më rri ai moment”

Ndonëse ndodhet në një gjendje të rëndë emocionale, atij i duhet të mendojë se si ta ndihmojë financiarisht familjen e tij. Si djali i madh i familjes, e ndjen përgjegjësinë për kujdes ndaj motrave e vëllait të tij më të vogël në moshë.

“Krejt barrën e babës tim e kam unë, jam më i madhi në familje, e kam edhe babagjyshin por është i lodhur përvete”, shprehet i mituri që ndodhet në pozitën e kryefamiljarit tashmë.

Mundësitë për të gjetur punë i janë zvogëluar, ai e di sigurt që me bunar më nuk do të punojë kurrë.

“Me bunar nuk mundem me punu më s’e s’kam zemër…Qysh ka ndërru jetë babai jem, shumë keq…”, u shpreh i mituri për Gazetën Express.

Ky i mitur sakrifikoi shumë nga vegjëlia, ai edhe përkundër dëshirës për të vazhduar shkollimin e ndërpreu sepse “nuk u bëjke kurrqysh”, thotë ai. Shprehet se i duhej të punonte për “kafshatën e bukës”.

Për vdekjen e kryefamiljarit, familja është në pritje të raportit të obduksionit.

Ndërsa, për rastin tragjik të A.P., në një bunar në Lybeniq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, tha se “ky rast është në çështje parapenale për hetimin e rrethanave të vdekjes, si dhe është urdhëruar autopsia e trupit në IML në Prishtinë”.

Ai shtoi se “nën autorizimin e prokurores, njësitet kompetente të policisë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, kuptohet duke përfshirë edhe sigurimin e dëshmive të të gjithë dëshmitarëve te rastit, të cilat nuk kanë rezultuar deri në këtë fazë të hetimeve me asnjë provë për vërtetimin e dyshimit se kemi të bëjmë me ndonjë vepër penale të paraparë me ligjin në fuqi, mirëpo ende jemi në pritje të Raportit të autopsisë dhe vetëm pas analizimit të të cilit, do të vendoset lidhur me epilogun e rastit”, tha Nikçi.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit