Sot pritet të përmbyllet aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth. Kanë mbetur vetëm dy objekte të fundit, të cilave u është lënë afat deri në orën 18:00 që të çmontohen vullnetarisht nga vetë pronarët.
Ky aksion, i cili ka zgjatur një javë, ka çuar në shembjen e rreth 70 ndërtimeve të paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit. Pas përfundimit të ndërhyrjeve të sotme, strukturat shtetërore pritet të tërhiqen nga territori i parkut kombëtar.
Gjatë aksionit, pati përplasje mes banorëve dhe punonjësve të policisë dhe grupeve të IKMT-së, të cilën kundërshtonin prishjen e ndërtimeve.
“Ne jemi në tokën tonë këtu, kemi vite. Duam që të flasim me dikë që drejton nuk kemi punë me ju, ju jeni punonjës policie”, thanë banorët.
“Ne nuk jemi njerëz kundër ligjit, po na duhet dikush që drejton, IKMT kush është që të flasim me ta, kaq kërkojmë”, u shpreh një tjetër.






